Analistja politike Arta Tahiri-Beqa ka komentuar deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili sot pasdite tha se kryeministri Albin Kurti ka pranuar propozimin e BE-së për zhbllokimin e çështjes së Asociacionit.
Sipas Tahiri-Beqës, Rama nuk i ka të matura reagimet dhe kjo deklaratë e tij ka qenë e ngutshme e e qëllimshme.
“Nuk është hera e parë. Nuk do i quaja të matura reagimet e tij. E them një gjë të tillë sepse Rama në momentin që ai del me një deklaratë pa u prononcuar Kurti apo pa u prononcuar të gjithë ata negociatorë të cilët janë prezent në këtë takim, më duket një informacion i ngutshëm që mund të sjellë pasoja. Ne e dimë që fryma e bashkëpunimit mes Ramës e Kurtit nuk është një frymë shumë e këndshme kohëve të fundit…po (e qëllimshme)…Rama asnjë gjë nuk e bën në mënyrë të rastësishme në politikën e tij. Është një lider, nuk duhet mohuar por ai nuk bën asnjë gjë të rastësishme”, deklaroi ajo.
Rama sot e ka përgëzuar Kurtin “për pranimin e propozimit të BE-së për të avancuar me vendosmëri drejt zgjidhjes debllokuese të Asociacionit të komunave me shumicë serbe përmes instrumenteve të vetëmenaxhimit si kornizë për negociatat e ardhshme”. Siç tha ai, ky është një moment historik i rëndësishëm.
Sot në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq u priten veç e veç nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni në Bruksel.
Në takime ishte i pranishëm edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, si dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.