Apeli në çështjen ndaj Salih Mustafës do të marrë vendimin në moment të përshtatshëm
Ka përfunduar seanca e Apelit ndaj Salih Mustafës dhe së Trupi gjykues i Apelit tha se do ta marrin vendim në një moment të përshtatshëm.
“Trupi i Apelit do të japë vendimin e vetë në një moment të përshtatshëm”, tha kryetarja e trupit të Apelit, Michele Picard, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pas deklaratës së Salih Mustafës ku u shpreh se ndjehet i pafajshëm, trupi gjykues nuk pati pyetje për të.
Po ashtu, trupi gjykues obligoi palët në këtë çështje gjyqësore që t’i dorëzojnë parashtrimet e tyre jo më larg se dita e mërkurë e javës së ardhshme.
Para se të dëgjohej deklarata e Mustafës, mbrojtja e tij përmes avokatit Julius Von Bone tha se sa i përket përcaktimit të dënimit, ligj i zbatueshëm përkatës në atë kohë ishte Kodi Penal i Jugosllavisë.
Sipas Von Bone ky kod parashihte që ndëshkimi më burgim nuk mund të jetë më i gjatë se 15 vjet dhe se një dispozitiv tjetër ishte se gjykatat mund të përcaktojnë dënim me burgim prej 20 vjet për vepra penale të cilat dënimi me vdekje mund të parashikohet.
“Tani po kaloj tek pjesa e përcaktimit të dënimit, ligji i zbatueshëm përkatës në atë kohë ishte neni 48 i Kodit Penal të Jugosllavisë. Ky ligj paraqiste në dispozitën 1 siç vijon; ndëshkimi me burgim nuk mund të jetë më i shkurtër se 15 ditë dhe jo më i gjatë se 15 vjet. Dispozita 2 i të njëjtit nen thotë se; gjykata mund të caktoj ndëshkim ‘dënim me burgim’ me 20 vjet burgim për vepra penale për të cilat dënimi me vdekje parashikohet. Krimi këtu në këtë rast do të kishte përmbush kushtet e dënimit me vdekje:, tha Von Bone.
Madje, Von Bone shpjegoi edhe rregulloret e UNMIK-ut që sipas tij kanë ekzistuar atë kohë dhe dënimet maksimale për vepra që më parë për to shqiptohej dënim me vdekje.
“Megjithatë, me shfuqizimin e dënimit me vdekje përmes rregullores ‘24’ të UNMIK-ut, neni 12 i rregullores thotë se dënimi me vdekje është hequr dhe rregullorja ka hyrë në fuqi me 10 qershor 1999. Hapi në vijim ishte që rregullorja u ndryshua, rregullorja e re që hyri në fuqi ishte rregullorja 2000/59 e datës 27 tetor 2000, neni 1.5 i rregullores së mëparshme mbeti në fuqi. Megjithatë, u fut një nen i ri, neni 1.6 i cili parashihte dënimin maksimal prej 40 vitesh burgim për veprat që më parë dënoheshin me dënim me vdekje”, tha Von Bone.
Sipas Von Bone, Kodi Penal i Republikës Socialiste-Federative Jugosllave ishte baza ligjore për të caktuar dënimin që ishte maksimum 15 vjet për vepra penale të kryera përpara datës 27 tetor 2000
“Pjesa 4 e kësaj rregullore të UNMIK-ut parasheh një dispozitë të përkohshme që ka të bëjë me këtë rregullore; kjo hyn në fuqi pastaj me 27 tetor 2000 dhe saktëson se pjesa e re 1.6 zbatohet për veprat penale që janë kryer pas datës 27 tetor 2000. Për rrjedhojë, duke mbajtur parasysh parimin e ndalimit retroaktiv të Kodit Penal nuk kishte asnjë bazë ligjore për të caktuar dënimin maksimal për vepra penale të kryera para datës 27 tetor 2000 dhe rrjedhimisht Kodi Penal i Republikës Socialiste-Federative Jugosllave ishte baza ligjore për të caktuar dënimin që ishte maksimum 15 vjet për vepra penale të kryera përpara datës 27 tetor 2000.