Kuvendi i Kosovës sot është mbledhur për një seancë me të vetmen pikë të rendit të ditës miratimin e një deklarate në mbështetje të Rezolutës së Parlamentit Evropian, e datës 19 tetor 2023, mbi zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë, përfshirë situatën në komunat veriore të Kosovës.
Në këtë seancë po mungojnë edhe sot deputetët e partisë në pushtet.
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri pyeti Vetëvendosjen se çka po i frikëson kaq shumë që po bojkotojnë seancat e Kuvendit.
“E shoh si një pamaturi dhe si një frikë nga Vetëvendosja mos me u ballafaqu me Kuvendin. Nuk e di çka po i frikëson kaq shumë mos me qenë këtu mos me u ballafaqu në Kuvend”, tha ai ndër të tjera.
Sjellje të papërgjegjshme e cilësuan edhe nga LDK e PDK.
Lëvizja Vetëvendosje nuk mori pjesë as një seancën e djeshme të jashtëzakonshme të thirrur për të diskutuar për ngritjen e koeficientit të pagave.
Për të dënuar sulmin në Banjskë, javën e kaluar Parlamenti Europian miratoi një rezolutë, ku kërkon përballje pa vonesë e autorëve të sulmit me drejtësinë.
Eurodeputetët kritikuan ashpër politikën e Serbisë ndaj Kosovës dhe e cilësojnë atë “të rrezikshme.” Rezoluta në fjalë thekson se autorë të sulmit terrorist janë “para ushtarakë serbë të mirëorganizuar në Banjska.”
Rezoluta e Parlamentit Evropian u bën thirrje të gjitha shteteve anëtare të BE-së që ende nuk e kanë dënuar sulmin e 24 shtatorit ta dënojnë atë.