Avdullah Hoti me kritika ndaj vendimit të Kurtit: Pranoi Marrëveshjen e Ohrit, që përfshinë edhe ‘zajednicën’ edhe autonominë

Aktuale

Avdullah Hoti me kritika ndaj vendimit të Kurtit: Pranoi Marrëveshjen e Ohrit, që përfshinë edhe ‘zajednicën’ edhe autonominë

Nga: H.O. Më: 27 tetor 2023 Në ora: 20:22
Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti

Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në një postim të tij në Facebook shkruan se Kryeministri Albin Kurti pranoi ‘Zajednicën’.

Sipas tij, me protesta të dhunshme kundër ‘zajednicës’ ia humbën Kosovës 10 vite pa viza dhe fituan zgjedhjet, duke e ‘luftuar’ atë.

Hoti shkruan se këta pranuan Marrëveshjen e Ohrit, që përfshinë edhe ‘zajednicën’ edhe autonominë.

Postimi i plotë:

Me protesta të dhunshme kundër ‘zajednicës’ ia humbën Kosovës 10 vite pa viza e pa progres në integrim euro-atlantik.

Kërkuan vota në zgjedhjet e fundit, dhe i morën ato, për të mos bërë kurrfarë zajednice, ‘as asi, as ksi’.

Sapo e morën pushtetin, në foltore të Kuvendit u betuan ‘zajednica’ nuk bëhet, sepse Kosova ka kryeministër tjetër.

Mandej u zbutën pak, i vendosën disa kushte për ‘zajednicë’, të cilat i harruan plotësisht.

Nuk e bën ‘zajednicën’ kur aleatët u kërkonin ta bënin sipas marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015, ku kjo e fundit e thotë qartë se asociacioni bëhet kur Gjykata Kushtetuese thotë se “statuti i asociacionit është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.

Tani, për të mbetur në pushtet, pranojnë propozimin për ‘zajednicën’ që u vihet në tavolinë me stilin merre ose lëre.

Tani i kthehen marrëveshjes së vitit 2015, ku kërkohet opinioni i Gjykatës Kushtetuese.

Këto nuk janë veprime shtetërore. Këto janë veprime të politikanëve demagogë e mashtrues, që bëjnë gjithçka për të mbijetuar politikisht e për të mbajtur pushtetin.

Gjithë kjo shtyrje do të kuptohej nëse do të kishim një marrëveshje tjetër për ‘zajednicën’, e cila do të ishte më e favorshme për Kosovën. Por jo, këta e kanë pranuar Marrëveshja e Ohrit, e cila përfshinë edhe ‘zajednicën’ edhe autonominë.

Gjithë kjo shtyrje do të kuptohej nëse Marrëveshja e Ohrit do të përfshinte njohjen reciproke. Por jo, këta e pranuan Marrëveshjen e Ohrit, e cila thekson qartë: “...  pa paragjykuar pikëpamjet e ndryshme të Palëve për çështjet themelore, duke përfshirë çështjet e statusit”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat