Kusari-Lila për draftin e Asociacionit: Nuk do ta lejojmë të shkaktojë ndonjë çrregullim funksional të shtetit të Kosovës

Aktuale

Kusari-Lila për draftin e Asociacionit: Nuk do ta lejojmë të shkaktojë ndonjë çrregullim funksional të shtetit të Kosovës

Më: 1 nëntor 2023 Në ora: 00:13
Mimoza Kusari-Lila

Mimoza Kusari-Lila nga Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se Kosova nuk do ta pranonte një draft-statut për Asociacionin që nuk është në përputhje me Kushtetutën.

Kusari-Lila tha se Qeverisë Kurti i ka marrë kohë dy vite për ta pranuar një draft, që sipas saj, është tregues se janë angazhuar që Asociacioni të jetë në linjë të plotë të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë.

“Nuk ka proces i cili mundet, e para me rreziku ose me shkelë rendin kushtetues dhe e dyta me shkaktu ndonjë çrregullim funksional të shtetit të Kosovës. Dhe të gjithë që kanë pasë brenga, ose që janë gëzu në një mënyrë ose tjetrën faktit që u pranua Asociacioni ose Zajednica, munden me shiku prej kur është nisë procesi në mars të 2021-ës me këtë qeveri, deri në fund të 2023-ës, ne jemi me një angazhim dhe përkushtim për rritjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në të gjithë territorin e Republikës pa dallim”, deklaroi ajo.

Megjithatë, ajo po ashtu theksoi se jo çdo gjë është pranuar në raport me draftin.

“Ende nuk është asgjë e gatshme për publikun. Ajo për çka është folë janë parimet, parimet për ndërtimin e një statuti. Ky nuk është një vendim i marrë, as draft i dakorduar. Vazhdimisht është kërkuar të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe pastaj ta marrë edhe njëherë një vlerësim nga Gjykata Kushtetuese. Është çështje e dakordimit edhe prej udhëheqësve evropianë”.

Sipas Kusari-Lilës, Serbia gjithmonë e ka kërkuar Asociacionin për të pasur ndikim në Kosovë, jo sepse i interesojnë të drejtat e komunitetit serb të Kosovës.

“Ne flasim për një vetë-menaxhim në raport me komunat me shumicë serbe, pa u përjashtu edhe komunat tjera. Kemi të bëjmë me akordim strikt me Kushtetutën e Kosovës”.

“Kërkesa e Serbisë për Asociacionin ka ardhur si një kërkesë e cila, jo për të drejtat e komunitetit serb, por për ndikimin e Serbisë në Kosovë, ka qenë tejet e rëndësishme”, deklaroi Kusari-Lila.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat