Pozita nuk mbështeti kërkesat e opozitës për votimin e dy mocioneve. Njëra për miratimin e kërkesave të minatorëve të “Trepçës” e tjetra për kërkesat e pjesëtarëve të njësive elite të Policisë së Kosovës. Për të dy këto çështje, përfaqësues të partive opozitare thanë se është me urgjencë që Kuvendi të miratojë rezoluta, ndërkaq shumica parlamentare nuk është pajtuar me një gjë të tillë. Pas dështimit të miratimit të këtyre dy mocioneve, opozita ka lëshuar sallën plenare, ndërkohë që po vazhdohet me pika të tjera të rendit të ditës.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se kërkesa për plotësim të rendit të ditës është tendencë për politizim të vazhdueshëm të kësaj çështje.
Kusari-Lila: Kjo është greva e parë që nuk ka këshill grevist
“Të gjitha përpjekjet për t’u ndërprerë greva apo qëndrimi i grevistëve poshtë në minierë është bërë. Shto këtu faktin që fatkeqësisht kjo është greva e parë në shoqërinë aksionare “Trepça” që nuk ka Këshill grevist, që nuk është në përputhje me ligjin me greva. Në Trepçë ka pasur grevë në vitin 2019, 2020 dhe ka pasur këshill grevist, ka pasur gjithashtu diskutim të drejtpërdrejt mbi kërkesat me këshillin grevist. Tani nuk ka këshill grevist, tani po shkaktohen pasoja ligjore për të gjithë involvuarit në procesin e grevës... Përderisa atje Kishnica dhe Novëbërda janë kthyer në punë, ndërsa një pjesë e atyre që janë në grevë në Stantërg kanë ndërprerë grevën, ne konsiderojmë që sot duhet të vazhdohet me agjendën”, deklaroi Kusari-Lila.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri propozoi që në rend të ditës të futet një rezolutë për gjendjen dhe kërkesat e minatorëve të “Trepçës”.
Tahiri: Kërkojmë që pikë e parë të jetë miratimi i një rezolute për minatorët e “Trepçës”
“Tash e dhjetë ditë minatorët e “Trepçës” janë në grevë. Dhe ne për dhjetë ditë në asnjë rrethanë nuk kemi dashur të sjellim në Kuvend, të politizojmë këtë çështje dhe të ketë një debat politik. Sepse i kemi dhënë kohë qeverisë që të zgjidh këtë çështje dhe minatorët të dalin nga greva. Dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur, ne edhe si komision parlamentar kemi pasur një takim me minatorët ku kanë shprehur pakënaqësitë e tyre, andaj sot duke pasur parasysh që edhe rregullorja lejon që të trajtohen çështje urgjente, të plotësohet dhe ndryshohet rendi i ditës, ne rezolutën veçse e kemi proceduar dhe kërkojmë që sot të hyjë si pikë e parë e kësaj seance miratimi i një rezolute, me të cilën Parlamenti i Kosovës kërkon mbështetjen e kërkesave të minatorëve të Trepçës”, deklaroi Tahiri.
Këtë mocion e përkrahi edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ku shefi i deputetëve të kësaj partie opozitare, Arben Gashi tha se në mënyrë urgjente të trajtohet çështja e minatorëve të Trepçës.
Gashi: Kërkesat e minatorëve janë minimaliste
“Mendojmë që është me rëndësi që kuvendi ta shqyrtojë dhe të kalojë një rezolutë e cila i kërkon qeverisë që kërkesat e tyre të plotësohen, sepse kërkesat e minatorëve të Trepçës janë kërkesa minimaliste. Kërkesat e tyre janë kërkesa minimaliste, çka kërkojnë ata është që të garantohet që pagat do i marrin në fund të muajit. Trepça është ndërmarrje publike, shteti duhet të garantojë që pagat e tyre në fund të muajit do të ju dalin në llogari. Kjo është e palogjikshme, e paarsyeshme që të detyrohen minatorët që të ngujohen në ‘zgafella’ për javë të tëra. Për çka? Të kërkojnë pagat e tyre. Prandaj mendojmë se kjo duhet të trajtohet me karakter urgjent”, shtoi Gashi.
Krahas kësaj, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri kërkoi që të trajtohet edhe çështja e kërkesave të njësive elite të Policisë së Kosovës.
Tahiri: Me urgjencë të trajtohet cështja e policëve të Kosovës
“Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës normal që e mbështet dhe konsideron që është tepër urgjente që të mbahet një seancë dhe të diskutohet çështja e minatorëve. Kjo do të duhej të ndodhte sipas nenit 53 dhe 94 të rregullores së punës të këtij institucioni. Po ashtu është tepër me rëndësi që të diskutohet me urgjencë edhe çështja e policëve të Kosovës. Ne kemi pasur një paralajmërim të një proteste dje të FIT-it, sot ka edhe një protestë tjetër. Duhet me urgjencë të trajtohet për shkak se në qoftë se vazhdon ky zingjir i këtyre protestave, atëherë është duke devalvuar vendi dhe institucionet e Kosovës”, u shpreh ai.
Mocioni i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës u përkrah nga vetëm 33 deputetë, 36 e kundërshtuar dhe shtatë abstenuan. Po ashtu nuk është përkrahur as mocioni Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ku 34 ishin për, 50 abstenuan, kundër asnjë.