Me pankartën “Regjimi i Zajednicës”, Partia Socialdemokrate ka mbajtur aksion simbolik para Kuvendit të Kosovës.
Para fillimit të seancës së Kuvendit për raportimin e kryeministrit Albin Kurti, aktivistë të kësaj partie në hyrje të Kuvendit u kanë vendosur deputetëve të Vetëvendosjes nga një medalje siç e quajtën në shenjë falënderimi për punën e bërë në themelimin e Asocacionit.
Frashër Krasniqi nga kjo parti ka akuzuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti siç thonë për pranimin e Asociacionit. Sipas tij, janë këta deputetë që kanë premtuar që nuk do ta sjellin një “Zajednicë” në Kosovë.
Krasniqi: Emri i vërtetë i Qeverisë Kurti, Regjim i Zajednicës
“Sot kemi dalë këtu për t’ia dhënë emrin e vërtetë Qeverisë Kurti, i cili emër është Regjim i Zajednicës, sepse pikërisht për të ruajtur pushtetin e vet, kryeministri, Albin Kurti ka vendos Kosovës t’ia sjell Zajednicën. Ka vendos t’ia sjell Kosovës një Zajednicë hala ma të keqe se ajo që parashihej në marrëveshjet e 2013-ës dhe 2015-ës. Gjithë këtë punë, kompromis, është duke e bërë Albin Kurti në dëm të Kosovës, vetëm për të ruajtur pushtetin dhe Qeverinë e tij. Sot jemi dalë këtu që deputeteve të pushtetit të ia vendosim këtë medalje në setrat e tyre si deputetë të Zajednicës. Normalisht që plot prej tyre janë duke hyrë skutave, sepse tash që janë në faj janë duke u fshehur, nuk kanë fytyrë të dalin përpara asnjë përgjegjësie e llogaridhënie. Kemi vendos të bëjmë këtë aksion dhe të ua vendosim këto medalje, për shkak se pikërisht janë këta deputetë që qe të ulën këtu në Kuvend, qytetarëve të Kosovës i kanë thënë se nuk do ua sjellin kurrë një Zajednicë apo Asociacion, përkundrazi do t’i përmirësojnë gabimet që janë bërë në të kaluarën”, tha Krasniqi.
Mes tjerash, Krasniqi tha se kjo parti do të vazhdojë të kundërshtojë themelimin e Asocacionit me çdo fuqi që ka.
Krasniqi: Do ta kundërshtojmë me aq sa kemi fuqi krijimin e këtij entiteti që është “Zajednica”
“Partia Socialdemokrate është kundër pranimit të Asociacionit, veçanërisht në këto kushte ku nuk sigurohet asgjë e mirë për Kosovën, as njohje e as marrëveshje përfundimtare që do e zgjedh problemin mes Kosovës dhe Serbisë. Përkundrazi po na vjen një Asociacion, i cili problemin mes Kosovës dhe Serbisë nuk e zgjedh, në anën tjetër e len konfliktin ndëretnik brenda dhe e len token e plleshme për pushtetarët popullsitë e autoritar si Albin Kurti. Prandaj, do të kundërshtojmë me aq sa kemi fuqi krijimin e këtij entiteti që është Zajednica ose Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, të cilin Albin Kurti e solli në Kosovë me 50 për qind të votave që të ruajë pushtetin e vet”, shtoi Krasniqi.
Kryeministri Albin Kurti sot në Kuvendin e Kosovës është duke raportuar për takimin e fundit në Bruksel në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.