Minatori Gani Osmani ka thënë se mbrëmë pas mesnatës është bërë një marrëveshje mes deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe drejtorit për Monitorim për Ndërmarrje Publike, inxhinierëve të “Trepçës” e një grupi të punëtorëve.
Ai ka thënë tutje se deputetët e LVV-së që ndërmjetësuan ishin: Armend Muja, Arjeta Fejza dhe Halil Thaçi.
Osmani ka thënë se deputetët e kanë dhënë një garancion, për kërkesën e parë që ishte mos-vonesa e pagave. Sipas tij, deputetët kanë thënë se kjo nuk do të ndodhë më.
Për shkarkimin e kryeshefit ekzekutiv deputetët kanë propozuar që të hapet konkursi që do të zgjedhet një kryeshef i ri ekzekutiv. Ndërsa për kërkesën e fundit, përmirësimin e kushteve të punëve, Osmani ka thënë minatorët janë pajtuar që për këtë duhet të presin.
“Në një lloj mënyre, minatorët u kanë besuar deputetëve të Republikës së Kosovës. E kanë ndërprerë grevën, një lloj zhgënjimi dhe nënçmimi e kanë pasë”, ka thënë Osmani, duke shtuar se minatorët nuk i kanë pritur mirë deputetët sepse sipas tyre, vizita e tyre mund të ishte në ditët e para të grevës dhe jo pas 10 ditëve.
Kur u pyet se nëse beson që deputetët do t’i mbajnë “premtimet” e tyre, Osmani u shpreh optimist por nëse ndodh e kundërta sipas tij, ky do të ishte “zhgënjim total në pushtet dhe qeveri”, derisa ka ritheksuar se çështja e pakënaqësive e minatorëve mund të zgjidhej “për 10 minuta”.