Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaja që ka qenë edhe drejtor I Policisë së Kosovës, ka thënë se përmendja e pagave të policëve të nëjsive elite nga ana e kryeministrit Albin Kurti dhe ministri Xhelal Svecla ka qenë fyerje e madhe për policët.
Ai tha se nëse 24 shtatori, dita e sulmit terrorist në Banjskë, të cilin Policia e menaxhoi shumë mirë ka qenë dita më krenare, dita kur ata kanë dalë në protestë ka qenë një ditë shumë e rëndë.
“Nëse 24 shtatori ka qenë dita më krenare për mua dhe qytetarët e Kosovës, mendoj që dita kur e kanë parë njësinë e parë intervenuese në protestë ka qenë dita më e rëndë. Pra brenda një muaji e dhjetë ditëve nga një krenari e skajshme. Mas 40 ditëve erdhi puna që njësitë policore të dalin në protestë para qeverisë që është një ditë shumë e rëndë për të gjithë në, për mua është pak më e rënde se jam i lidhur emocionalisht me Policinë, e aq më keq kur i patëm statuset e kryeministrit dhe ministrit Sveçla me përmbajtje të njëjtë. Statusi ka derivuar me mijëra komente të qytetarëve të ndryshëm. Dhe nga komentet 90 për qind i kanë quajtur mercenarë. Statuset i kanë fyer rëndë policët. T’i thuash një polici se i ke marrë 2 mijë kur ai ka qëndruar nga 48 orë atje, duke fjetur në autoblindë dhe në një ambient tepër armiqësor dhe të fyesh ata është kulmi i turpit. Pse ke nevojë ta thuash atë?.”, tha ai në DPT te Fidani.
Qalaj tha se me Ligjin e ri të Pagave, policët e NJSI i marrin 74 euro më pak.
Qalaj e quajti skandaloze edhe përmendjen e vlerës së pajisjeve të pjesëtarëve të NJSI nga ana e Kurtit.
Ai po ashtu ka folur edhe për përgatitjen e pjesëtarëve të njësive elite.
Qalaj tha se policët e njësive elite janë të gatshëm ta marrin plumbin dhe kurrë të mos refuzojnë detyra.