Bislimi pas takimit me Lajçak: Diskutuam për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka takuar Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Sipas komunikatës për medie të Qeverisë së Kosovës, Bislimi dhe Lajçak kanë diskutuar për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.
“Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, pati një darkë pune me Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Në këtë takim u diskutua në lidhje me të gjitha aspektet e ndërlidhura me zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit.
Republika e Kosovës është e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe për njohje reciproke”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.
Lajçak takon Bislimin: Të zbatohet plotësisht Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit
Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak, e ka takuar zëvendëskryeministrin e Kosovës Besnik Bislimi.
Temë e këtij diskutimi ishte takimi i 26 tetorit, mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, me liderët e BE-së.
Lajçak tha se është e nevojshme zbatimi i plotë dhe pa parakushte, i Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit, të arritur në Ohër.
“Ne ramë dakord edhe për hapat e ardhshëm”, tha Lajçak.
Bislimi pritet ta takojë Lajçakun sonte
Këshilltari i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Klisman Kadiu, ka bërë të ditur se Bislimi do të takohet me emisarin special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, gjatë mbrëmjes të së hënës.
Kadiu ka bërë të ditur se detajet do të bëhen të ditura pas takimit përmes një komunikate për media.
“Zëvendëskryeministri Bislimi do ta takojë sonte z. Lajcak. Për detajet mbi takimin do të ketë një komunikatë për media pas përfundimit të tij”, ka thënë Kadiu.
Lajçak pritet të bisedojë me liderët kosovarë për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe çështje të tjera.
Përveç me Bislimin, Lajçaku pritet të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si dhe me përfaqësuesit e opozitës në Kosovë.
Lajçak në Kosovë, ende s’ka takim me Kurtin
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak i cili po qëndron në Kosovë, nuk ka zhvilluar takim me kryeministrin Albin Kurti.
Bëhet e deri në këto momente tha se Lajçak nuk e ka filluar ndonjë takim me kryeministrin Kurti, megjithëse arritjen e Lajçak në Kosovë e ka konfirmuar zyra e BE-së.
Sipas agjendës së tij, të martën Lajçak do t’i takoj krerët e tri partive opozitare, LDK, PDK dhe AAK.
Ndërkohë, gjatë ditës ishte raportuar në medie edhe për një takim të mundshëm me kryeministrin Albin Kurti, i cili takim ende nuk ka ndodhur.