Aktori dhe shkrimtari i njohur Çun Lajçi, ka pyetur se Gjergj Dedajn, se si ka mundur të jetë ambasador i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, duke qenë “jo normal” dhe “kufomë”. Duke komentuar dëshminë e Dedajt para Gjykatës Speciale, në gjyqin kundër ish-krerëve të UÇK-së, Lajçi ka thënë se atë e “vërboi lakmia”, pasi për post “duroi sharje e shuplaka”, përcjell Bota sot.
Sipas aktorit, kryeministri Albin Kurti është truri i Kosovës, ndërsa presidentja Vjosa Osmani, është “syri” i vendit”.
“-Ai ishte jo normali që ka emën!
Me pyetën; - çka mendon për filanin!
U thashë, njashtu qysh mendoni ju për mua! - I shkretë, fukara, me libra, por i pa dije!
I humbun, i gjetun, i mbyllun, i hapun, i drejt, i shtrembët, egoist, vehtjak, majtist, i urryer, i dashtun...
Fjalën e patën për Albinin ndaj s'e pritën fjalën e fundit; ikën!
- Pritni trima pritni, se deshtët ta dini, se çka mendoj për filanin, ndaj merreni përgjigjën!
Ai asht si unë e unë jam si ju; - mos me dashtë të drejtin.
Të shitunin e rrencin me afrua e të ditunin mos me lanë ngat veti.
Spiunin me ba atdhetarë e atdhetarit me ia thye qafën!
Hajnit me ia besua arkën e koshin!
- I huji me pasë peshën e gurit n'trollin tand!
Ai asht si lumi; - rrjedhë e nuk ndalet! Kur merr verë e thatë mund ti pakohet uji pak, por kurrë nuk shteret!?
Ai asht si unë, por unë s'jam si Ju e Gjergji që ankohni kur iu rrehin shuplaka e kur iu pyesin si ndodhi; - ju baheni jo normal.
- Kufomë kemi qenë thoni atëherë e kufomë jemi sot.
Por si ka mundur t'jetë ambasador nji kufomë? Nji Gjergj i zi; - jo normal?!
E shihni kush jemi?
Jo, s'thashë kush asht shqiptari; - thashë kush jemi neve, që na vërboi lakmia! Që për poste, duruem shamje e shuplaka. Madje u bamë edhe "jo normal" e "kufoma të gjalla" si Gjergj futa!
- Dijeni se Albini asht truni i këtij vendi e Vjosa asht syni që s'ban vërr!
Kufoma e gjallë, apo goja e Vuçiqit, e quejti "e ashtuquejtuna Presidente"!
-E shihni kush asht “jo normali” që emnin e ka Gjergj?!
Ikni tash sa s’ka ardhë Albini, iu thashë dhe u kry intervista!”, ka shkruar Lajçi në një postim në Facebook.
Dedaj, kohë më parë kishte akuzuar Hashim Thaçin për maltretim e torturim gjatë luftës në Kosovë, por në dëshminë në Hagë ai deklaroi krejt të kundërtën.
Si dëshmitari i 33-të i Gjykatës Speciale në procesin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, Gjergj Dedaj ka thënë se 90 për qind të deklaratave që i ka dhënë pas luftës nuk ka qenë normal dhe në gjendje që ta thotë të vërtetën.
“Nuk më kujtohet që më ka pyet kush për betim dhe as që e kam dhënë asnjë betim. Aty ku është nënshkrimi im edhe me u rrotullu bota e them që është nënshkrimi im dhe nuk e mohoi me asnjë çmim. Mirëpo, edhe njëherë po e përsëris, momenti, gjendja, zhvillimet, situata familjare, personale, që jam marrë në pyetje, 90 për qind të deklaratave që i kam dhënë pas luftës nuk kam qenë normal dhe në gjendje me e thënë të vërtetën. Por, tash jam i gatshëm me u ballafaqu me çdo gjë, sikur që kam qenë i gatshëm sikur çdo ditë që e kam qit në tavolinë-tryezë jetën time për me dhënë për lirinë e Kosovës”, ka thënë Dedaj.