​Konjufca: Kosova e gatshme për t’u bërë pjesë e OKB-së dhe BE-së

Aktuale

​Konjufca: Kosova e gatshme për t’u bërë pjesë e OKB-së dhe BE-së

Më: 8 nëntor 2023 Në ora: 12:07
Glauk Konjufca

Në Konferencën e mbajtur për hartimin e Agjendës Transformuese të Kosovës, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se nevojitet bashkëpunim nga të gjitha shtetet për të arritur barazi dhe mirëqenie pa dallim.

Konjufca, tha se Kosova është e zotuar për të kontribuar në përpjekje të përbashkëta globale. Sipas tij zbatimi i suksesshëm i Agjendës 2030-të, do t’i hap rrugë Kosovës për t’u bërë pjesë e Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Konjufca: Kosova është zotuar për përpjekje globale pa dallim

“Nevojitet solidariteti e bashkëpunimi, jo vetëm i njerëzve por edhe i shteteve, i vendeve të zhvilluara në ato vende të cilat sidomos janë në fazat e hershme të zhvillimit të tyre, ashtu që të sfidohet mungesa e elementeve bazike të jetesës. Pikërisht ky mendoj që është qëllimi Agjendës 2030 të Kombeve të Bashkuara, solidaritet e përpjekje e përbashkët për të nxitur barazinë, prosperitetin, mirëqenien për të gjithë pa dallim. Kosova edhe pa qenë anëtare e Kombeve e Bashkuara është nënshkrues e Agjendës 2030, ka dhënë zotimin për të kontribuar në përpjekje të përbashkëta globale, për zhvillimi të qëndrueshëm. Duke qenë se kjo Agjendë është komplementare në atë agjendën evropiane, zbatimi i suksesshëm i saj jam i bindur që na ofron në dy mekanizmat të rëndësishme, ku një ditë edhe ne synojmë të jemi pjesë e tyre, edhe e Kombeve të Bashkuara edhe e Bashkimit Evropian”, tha Konjufca

Po ashtu, Konjufca shtoi se plani zhvillimor i Agjendës 2030-të përfshin të gjithë sektorët që kërkojnë ndihmë institucionale shtetërore. Ai tha se institucionet tona janë të gatshme për hartimin e kësaj Agjende dhe së është një mundësi e mirë për të dëshmuar aftësitë që i ka Kosova.

Konjufca: Agjenda 2030 mundësi e mirë për të dëshmuar aftësitë e Kosovës

“Në këndvështrimin tim Agjenda 2030-të, duke qenë se është e ndërtuar në formën e një plani zhvillimor për të gjithë sektorët që kërkojnë ndërhyje institucionale e ndihmon Kosovën shumë për të projektuar edhe më të sigurt të ardhmen e vet. Prandaj, ne kemi bërë hapa tutje në këtë drejtim. Institucionet tona janë përgjigjur ftesës së Kombeve të Bashkuara për të hartuar një Agjendë transformuese dhe të matshme, e cila ndihmon zbatimin e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm me hapa të përshpejtuar. Për Kosovën kjo Agjendë duhet të shihet si një mundësi për të dëshmuar aftësitë që i ka Kosova për tu bërë pjesë e iniciativave globale, si kjo që është shumë me rëndësi, agjenda 2030, si dhe për të marrë rol kontribuues drejtpërdrejt në çështje globale si kjo, si mundësi e vendit, shtetit tonë për integrim edhe më të madh në arenën ndërkombëtare së bashku me të gjitha shtetet e botës”, tha Konjufca.

Qëllimi i Konferencës për Agjendën Transformuese të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, është të forcojë koncensusin në Kosovë rreth Agjendës Transformuese të OZHQ-ve dhe të ofrojë një platformë për diskutim interaktiv ndërmjet institucioneve dhe palëve tjera me interes për të formësuar fushat prioritare të Agjendës Transformuese të Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat