Haxhiu përkrahë Osmanin: Procesi i zgjedhjes së kryeprokurorit duhet dhe do të kthehet në pikën zero

Aktuale

Haxhiu përkrahë Osmanin: Procesi i zgjedhjes së kryeprokurorit duhet dhe do të kthehet në pikën zero

Më: 8 nëntor 2023 Në ora: 12:13
Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se procesi i zgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit duhet dhe do të kthehet në pikën zero.

Ajo tha se e mbështetë dhe e mirëpret vendimin e presidentes Vjosa Osmani për të mos e dekretuar Blerim Isufajn. Haxhiu foli për ndikimin e “grupeve të interesit” dhe “individëve përbrenda sistemit” për të sjellë “një rezultat që dihet”.

Vendimi i presidentes nuk e ka zmbrapsur Këshillin Prokurorial që së fundmi ia ka dërguar asaj sërish të njëjtin emër për dekretim. Ministrja tha se Këshilli Prokurorial nuk ka pasur të drejtë ta bëjë këtë.

“Mbështes dhe mirëpres letrën e presidentes Osmani për mosdekretimin e z. Isufaj si kryeprokuror i shtetit. Arsyet për këtë i ka përmendur edhe në letër presidentja Osmani. Kryeprokurori i shtetit ka mandat shtatë vite dhe sigurisht që ky proces duhet të jetë transparent, meritor dhe jo të ndikojnë grupet e interesit apo individë përbrenda sistemit, në mënyrë që të sjellin një rezultat që dihet para se të ndodhë ai. Prandaj, ne mbështesim, unë mbështes presidenten Osmani në letrën që e ka adresuar”.

“Propozimi i njëjtë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk ka bazë kushtetuese e as ligjore. Këshilli Prokurorial nuk e di se ku është bazuar kur e ka dërguar emrin e njëjtë te presidentja Osmani, sepse ky proces duhet të kthehet në pikën zero dhe do të kthehet në pikën zero”, tha Haxhiu.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat