Haxhiu: Krerët shtetërorë po punojnë për padinë për gjenocid ndaj Serbisë

Aktuale

Haxhiu: Krerët shtetërorë po punojnë për padinë për gjenocid ndaj Serbisë

Më: 8 nëntor 2023 Në ora: 13:49
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se krerët e shtetit po punojnë për padinë për gjenocid ndaj Serbisë. Derisa theksoi se drafti për Asociacionin, i propozuar nga diplomatët euro-amerikanë nuk ofron asnjë lloj autonomie për komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Haxhiu, në konferencën për medie pas mbledhjes së qeverisë të mërkurën u shpreh më e rezervuar për të komentuar draftin, por bëri të ditur se kryeministri Kurti e ka njoftuar Kryesinë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Grupin Parlamentar në terma të përgjithshëm për propozimin e modernizuar për Asociacionin.

Ajo tha se po të ishte në dorën e kryeministrit Kurti, drafti do të bëhej publik qysh dje, mirëpo është kërkesë e ndërmjetësve që i njëjti mos të publikohet.

“Në mbledhjen e fundit të kryesisë së LVV-së na ka njoftuar në vija të trasha për propozimin evropian dhe amerikan. Para seancës për raportim në Kuvend ka takuar po ashtu edhe Grupin Parlamentar të cilët i ka njoftuar për mbarëvajtjen takimit të 21 tetorit, po ashtu edhe për qëndrimin e Kosovës. Sa për kryeministrin Kurti teksti mund të jetë publik që prej dje, por kjo nuk mund të ndodh dhe arsyet i ka përmendur kryeministri Kurti... S’ka asnjë autonomi. S’do të ketë autonomi në Republikën e Kosovës. Kosova është shtet i pavarur dhe nuk do të lejojmë në asnjë rrethanë që të ketë një shtet tjetër brenda shtetit tonë”, tha ajo.

Pjesë e konferencës për medie ishte edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili tha se ende s’ka nisur asnjë peticion që mundëson shkarkimin e kryetarëve në veri.

Ai tha se kryetarët në veri po vazhdojnë punën, veçmas ata nga radhët e LVV-së, derisa shprehu mëdyshje se kryetarët nga radhët e PDK-së, që udhëheqin Zveçanin e Zubin-Potokun, e që detyrën e ushtrojnë nga zyra alternative, mund t’iu përgjigjen kërkesave të qytetarëve.

“Deri në këtë moment ne nuk kemi pranuar asnjë informacion se ndonjë grup i qytetarëve është organizuar apo ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve nga zyrat. Ajo çka është e rëndësishme është se kryetarët po vazhdojnë të punojnë dhe ne si qeveri i mbështesim ata”, theksoi ajo.

Në anën tjetër, ministrja Haxhiu pasi foli për rëndësinë e Institutit për krimet e luftës, bëri të ditur se tre krerët e shtetit janë duke punuar për hartimin e padisë për gjenocid ndaj Serbisë.

“Sa i përket padisë për gjenocid është në programin qeverisës. Është duke punuar kryeministri Kurti, presidentja Osmani dhe kryetari i Kuvendit të cilët janë të angazhuar në këtë drejtim. Për shkak të ndjeshmërisë së çështjes nuk mund të japim detaje por ju siguroj se jemi duke u marrë me këtë çështje”, tha Haxhiu.

E pyetur për çështjen e zgjedhjes së kryeprokurorit, Haxhiu tha se procesi duhet të kthehet në pikën zero dhe se propozimi i Këshillit Prokurorial i Kosovës që sërish ta dërgojë emrin e Blerim Isufajt për kryeprokuror të ardhshëm të shtetit, nuk është ligjor dhe kushtetues.

“Mbështes dhe mirëpres letrën e presidentes Vjosa Osmani për mosdekretimin e zotëri Isufajt për kryeprokuror të shtetit. Arsyet për këtë i ka përmendur edhe në letër presidentja Osmani. Kryeprokurori i shtetit ka mandat shtatë vite dhe ky proces duhet të jetë transparentë dhe meritor e jo të ndikojnë grupe të interesit apo individ që të sjellin një rezultat që dihet para se të ndodh ai. Prandaj unë mbështesë presidenten Osmani në letrën që ka adresuar. Propozimi i njëjtë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk ka bazë kushtetuese dhe as ligjore. KPK-ja nuk e di ku është bazuar kur e ka dërguar emrin e njëjtë tek presidentja Osmani, pasi ky proces duhet të kthehet në pikën zero dhe do të kthehet në pikën zero”, shtoi ajo.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat