Prokuroria Speciale e Kosovës gjatë ditës së sotme ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të VV-së, Arlind Manxhuka dhe Egzon Azemi.
Në njoftimin e bërë nga Prokuroria Speciale thuhet se aktakuza ndaj tyre është ngritur për veprën penale “nxitje të përçarjes dhe mos durimit”, ndaj prokurorit Afrim Shefkiu dhe gjyqtarit Mentor Bajraktari, lidhur me heqjen e masës së paraburgimit në arrest shtëpiak, ndaj të akuzuarit për terrorizëm, Dejan Pantiq, në fund të dhjetorit të vitit të kaluar.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurve me inicialet AM, E.A, Q.E dhe E.Z. Prokuroria Speciale njofton se aktakuza kundër dy të pandehurve AM dhe E.A është ngritur për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit” nga neni 141 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, kundër të pandehurve Q.E dhe E.Z është ngritur aktakuzë për veprën penale “Kanosja” nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, pasi që të njëjtit me dashje kanë kanosur të dëmtuarit A.Sh dhe M.B.
“Gjithashtu, të pandehurit AM dhe E.A. duke keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare nëpërmjet rrjetit social ‘’Facebook’’, me dashje kanë përhapur dhe nxitur urrejtje e mos durim ndaj të dëmtuarve, prokurorit A.Sh dhe gjyqtarit M.B, lidhur me një vendim për ndryshimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit D.P”, bëhet e ditur nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë”, thuhet tutje në njoftim.
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, në dhjetor të vitit të kaluar kishte reaguar pasi ish-policit serb, Dejan Pantiq, i ishte ndryshuara masa e sigurisë, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.
Manxhuka kishte thënë se “ky aktlirim është akttradhëti”, derisa kishte thënë se për kë punon Gjykata Themelore e Prishtinës.