Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, foli për punën e tij në MKRS, trashëgiminë kulturore, Manastirin e Banjskës pas sulmit terrorist që ndodhi e tema tjera.
Derisa ka folur për trashëgiminë kulturore, Çeku përmendi se këtë vit ka pasur zjarr vënie të qëllimshme.
“Sivjet janë disa raste, një në Ferizaj, Gjakovë, Mitrovicë e Gjilan. Besimi im është që këto janë shkeljet e fundit. 35 monumente janë në proces të restaurimit, dhe 34 në procedurë të inicimit”, u shpreh ministri i Kulturës.
Të paktën për 10 vjet, tha ai, nuk janë bërë më shumë se këto 2 vitet e fundit.
Çeku tha se “përvoja 20 vjeçare në Kosovë e shkatërrimit të monumenteve ka qenë kryekëput e lidhur me ndërtime të reja, kryesisht me ndërtesa”.
Derisa sot, tha ai, ka vetëm 4-5 dënimet që janë dhënë nga gjykatat, në vlera 500 euro, 600 euro e më e larta 1000 euro.
“Por në Kodin Penal të Kosovës, për dëmtim të trashëgimisë shkon në 500 mijë euro e edhe me burgim efektiv”, tha ai.
“Një dëm që i shkaktohet një monumenti, i vogël i madh, është dëm. Çdo detaj i monumenteve të mbrojtura janë vlerë”, u shpreh ministri derisa ka folur për Manastirin e Basnjskës.
“Unë refuzim nuk kam pranuar nga Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë. Pas sulmit terrorist, unë u kam shkruar letër Dioqezës Rashkë Prizren, duke rikonfirmuar zotimin e Qeverisë për bashkëpunim, deri tash nuk kam pranuar asgjë nga dioqeza”, u shpreh Çeku.