Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, e konsideron të papranueshme faktin që Prokuroria Speciale në Kosovë, sot ka ngritur aktakuzë ndaj dy aktivistëve të kësaj partie.
Pasi sipas Sveçlës, Prokuroria Speciale, ka kompetencat të merret me krimet më të mëdha në vend, e në ndërkohë kanë ngritur aktakuzë për disa postime në Facebook.
“Në aspektin ligjor, vepra për të cilën akuzohen dy aktivistët, është e paraparë me kodin penal të Kosovës. Për mua është e papranueshme që Prokuroria Speciale e Kosovës të merret me dy aktivistë të lëvizjes Vetëvendosje, të cilët përmes Facebook-ut kanë shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj një vendimi të Prokurorisë dhe Gjykatës. Vetë emërtimi, Prokuroria Speciale e Kosovës dhe kompetencat që i gëzon kjo prokurori, na bën të besojmë që kemi të bëjmë me trajtimin e krimeve më të mëdha që mund të ndodhin në vendin tonë, ndërkohë që në rastin konkret, dy aktivistët tanë, janë pjesë e një aktakuze për shkak se në rrjetet sociale kanë shprehur indinjatën e tyre ndaj një vendimi të një prokurorie”, deklaroi Sveçla.
Madje, Sveçla vlerësoi që Prokuroria Themelore dhe ajo Speciale, kanë parime të ndryshme në rastin e trajtimit të çështjeve.
“Si asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje, vazhdimisht kemi denoncuar dhe kemi ngritur zërin, kemi bërë edhe kallëzime penale për shumë paligjshmëri dhe parregullsi, të cilat në vlerësimin tonë, kanë ndodhur në Komunën e Prishtinës. Ne akoma nuk e kemi parë as Prokurorinë Themelore, se lëre më Prokurorinë Speciale, të ndërmarrë ndonjë veprim. Unë flas për parime të ndryshme në rastin e trajtimit të çështjeve”, shtoi tutje Sveçla.
Prokuroria Speciale e Kosovës, sot ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka dhe Egzon Azemi, për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”.
Aktakuza ka të bëjë me komentet e tyre ndaj gjyqtarit Mentor Bajraktari dhe prokurorit Afrim Shefkiu, lidhur me ndërprerjen e masës së paraburgimit ndaj të akuzuarit për terrorizëm, Dejan Pantiq.