Gjatë dëshmisë së tij, dëshmitari Dragan Ivanisheviq tha se pjesëtari i UÇK-së i cili ishte në makinë me të i kishte thënë që të mos ketë frikë sepse do t’i ndodhë e njëjta gjë sikur personit Misho Begoviq.
“Ndërsa unë po vozitja makinën time, ishte ulur pran meje. Ndër pyetjet që ai me beri me tha që ‘mos ki frikë’ do të ndodhi siç ndodhi me Misho Begoviqin”, tha Ivanisheviq.
Ndërsa, për Begoviqin, Ivanisheviq tha se ishte rrëmbyer nga UÇK-ja dhe ishte liruar me ndihmën e OSBE-së.
“E di, e dija që ai ishe liruar me ndihmën e OSBE-së. 3 ditë ose 4- 6 ditë pasi ishte rrëmbyer. Kjo ishte edhe në televizion”, tha Ivanisheviq.
Dëshmitari tha se me Begoviqin ishin takuar pasi ai ishte liruar.
“Nga çfarë tha ai më vonë kur u takuam, ajo se çfarë mu krijua mua si përshtypje ai nuk e dinte se ku ishte ndaluar vetëm se kur e kishin liruar e kishin sjellë diku afër fshatit të vetë, afër Qyqavicës”, tha ai.
Tutje, dëshmitari tregoi se çfarë i kishte thënë Begoviq pasi ishte liruar nga UÇK-ja.
“Po. Ai tha që e kishin marrë disa burra nga UÇK-ja, madje e njihte dikë që e kishte marrë atë në pyetje, në bazën e UÇK-së nga Vushtrria. Nuk ma ka përmendur emrin, ndoshta edhe ma ka përmendur, por mua nuk me kujtohet ky person. Misho duhet të jetë ndonjë shkurtim emri ose një nofkë. Neve i drejtohemi dikuj si ‘Misho’ në qoftë se e ka emrin e plotë Millosh ose Milovan, nuk ia di emrin e plotë. Ia njohë të birin e njoh atë nga pamja, nga fytyra, njoh gjithashtu edhe të afërmit e tij”, tha tutje dëshmitari.
Ai tha se në kohën kur ishte në makinë me këtë pjesëtarin e UÇK-së, iu krijua përshtypja që ky i fundit nuk kishte asgjë në dorë.
“Ai me pyeti ndër të tjera për kushëririn tim. Me dha përshtypje se kishin punuar diku bashkë. Me pyeti se ku po punon ai tani. Më pas ai donte të me qetësonte, me tha mos u shqetëso, do të bëjmë të njëjtën gjë si Begoviqi. Mua mu kriju përshtypja sikur ai nuk kishte asgjë në dorë, këtë e thash duke u mbështetu në zërin që kishte apo tonin që përdorte deri sa fliste me mua”, tha ndër tjerash dëshmitari.
Dëshmitarit i prezantohet lista e vitit 2001 e personave të zhdukur në Kosovë, aty figuron emri i Velko Markoviq dhe ai i Nebojsha Gjuriq
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ia ka prezantuar dëshmitarit një listë të personave të zhdukur në ngjarjet në Kosovë, e cila ishte krijuar në mars të vitit 2001, ku figuron emri i Velko Markoviq dhe ai i Nebojsha Gjuriq.
Sipas ZPS-së, personat e zhdukur në këtë listë janë vendosur në mënyrë kronologjike sipas ditës së zhdukjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Është një listë e personave të zhdukur lidhur me një ngjarje në Kosovë e prodhuar në mars të 2001. Personat e zhdukur në këtë listë janë vendosur në formë kronologjike në bazë të datës së zhdukjes. Ivanisheviq janë vetëm dy shënime në këtë dokument që mbajnë datën 9 shkurt 1999 dhe është për Nebojsha Gjuriq dhe tjetri për Velko Markoviq dhe thuhet se secili prej tyre është parë për herë të fundit në Fushë-Kosovë”, tha prokurori.
Mirëpo, para se të prezantohej kjo listë, dëshmitari ishte pyetur se kur dhe në çfarë kohe Markoviq dhe Gjuriq janë parë për herë të fundit.
“E keni mësuar ndonjëherë se kur dhe në çfarë kohe, Markoviq dhe Nebojsha janë parë për herë të fundit?”, pyeti prokurori.
Ndërsa, dëshmitari ishte përgjigjur se për herë të fundit janë parë më 9 shkurt në një mbrëmje kur u larguan nga një kafene në Fushë-Kosovë.
“Për herë të fundit në një mbrëmje ishin në kafene dhe kur u larguan nga kafeneja rreth orës 4-5. Kafeneja ishte në Fushë-Kosovë. Më 9 shkurt”, tha dëshmitari.
Dëshmitari tha se në kohën kur ishte në makinën e UÇK-së, me Markoviqin, ai dukej si të ishte 35-vjeç.
“Ishte terr, por do të thosha se ishte rreth moshës 35 vjet, nuk jam i sigurt se ishte i vështirë të shikoja. Përafërsisht do të thoja që ishte 35 vjet”, tha dëshmitari.
Ndërsa, për rrëmbimin e tij, dëshmitari kishte thënë se janë marrë nga Prishtina dhe janë dërguar në Vushtrri pranë një vendi të quajtur Novosellë. Sipas dëshmitarit, Novosella ishte rreth 30 kilometra larg Prishtinës.
Sipas ZPS-së, Dragan Ivanisheviq kishte deklaruar se ai dhe Velko Markoviq ishin rrëmbyer nga UÇK-ja më 1999
(Përditësuar, ora 10:47)- Zyra e Prokurorit të Specializuar gjatë seancës së të enjtes lexoi përmbledhjen e deklaratave që dëshmitari Dragan Ivanisheviq i kishte dhënë, ku thuhet se kishte deklaruar që më 9 shkurt 1999 së bashku me një person të quajtur Velko Markoviq ishin rrëmbyer nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
“Dëshmitarit Dragan Ivanisheviq po vinte nga Prishtina me makinë në mbrëmjen e 9 shkurtit 1999 kur e rrëmbyen disa burra të armatosur me uniformë të UÇK-së. Brenda një ore apo diçka e tillë, UÇK-ja e transportoi dëshmitarin nga një vend në tjetrin me një “Lada” të bardhë. Rrëmbimi i dëshmitarit përkoi me rrëmbimin nga UÇK-ja të Velko Markoviq. Dëshmitari e pa Markoviqin atë ditë disa herë dhe kur i mbajtën bashkë mbrapa një makine “Lada”, duke i çuar nga një vend tek tjetri”, tha prokurori.
Prokurori tha që sipas deklaratave, dëshmitari kishte arritur që të ikte, ndërsa Markoviq kishte mbetur i ndaluar, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Gjatë kësaj kohe, Markoviq i tha dëshmitarit ndër të tjerash se ishte polic, por se do t’iu thoshte kidnapuesve se do të punonte në hekurudhë. Z. Markoviq dhe dëshmitari arritën që ta hapin bagazhin dhe dëshmitari iku, ndërsa Markoviq vazhdoi të ishte i ndaluar nga UÇK-ja”, tha prokurori.
Tutje, ZPS-ja tha se dëshmitari kishte mësuar nga të tjerët se Markoviq ishte parë për herë të fundit më 9 shkurt 1999 dhe se nuk ishte kthyer më në shtëpi.
“Pasi iku, dëshmitari mësoi nga të tjerët, përfshirë edhe nga familja e Markoviq se Markoviqi ishte parë për herë të fundit po atë ditë që dëshmitari ishte rrëmbyer kur i ndali një makinë “Lada” e bardhë. Dëshmitari mësoi se Markoviq punonte si polic për hekurudhën, i njëjti informacion që i kishte treguar vetë Markoviq kur i mbanin bashkë në bagazhin e një makine “Lada”. Dëshmitari mësoi se Markoviq nuk ishte kthyer në shtëpi”, u tha nga ZPS.
Fillon dëshminë serbi Dragan Ivanisheviq në çështjen ndaj Thaçit dhe të tjerëve
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar dëshminë dëshmitari i 34-të, Dragan Ivanisheviq me kodin (W04043) në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Dëshmitari i 34-të është dëshmitar i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, të cilin ka filluar ta marrë në pyetje kjo e fundit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari do të zgjasë tërë ditën.
Sipas trupit gjykues, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka paraparë 1 orë kohë për t’a marrë në pyetje këtë dëshmitar, mbrojtja e të akuzuarve ka paraparë dy orë e gjysmë, ndërsa mbrojtja e viktimave nuk do të parashtrojë pyetje.
Disa deklarata të dëshmitarit, të dhëna pranë ZPS-së u pranuan si prova materiale të cilat u klasifikuan si publike.
Seanca e sotme në çështjen ndaj Thaçit dhe të tjerëve është duke vazhduar herë pas herë me mungesë të përkthimit në gjuhën shqipe.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.