Haliti: Nuk mundemi të hyjmë në BE veç pse kemi dëshirë, duhen plotësuar kushte

Aktuale

Haliti: Nuk mundemi të hyjmë në BE veç pse kemi dëshirë, duhen plotësuar kushte

Më: 9 nëntor 2023 Në ora: 17:54
Xhavit Haliti

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka theksuar se Kosova duhet t’i plotësojë disa kushte nëse është e interesuar të integrohet në Bashkimin Evropian.

Ai tha se integrimi nuk është vetëm çështje dëshire.

Një nga kushtet kryesore sipas tij është edhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe shtensionimi i situatës,

Ai theksoi se ekziston një plan i BE-së, që vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen së bashku përnjëherë, nëse plotësohen kushtet e kërkuara.

“Neve duhet të veprojmë në përputhje me idenë e integrimit në BE. Nuk mund të hyjmë në BE vetëm pse kemi dëshirë, duhet të plotësojmë kushte. Kushti i parë është të mos kemi probleme me fqinjët. Nëse arrijmë ta ctensionojmë situatën me Serbinë, të funksionojë shteti, të zbatohen marrëveshjet që janë bërë deri tani. Po besoj që ekziston një mundësi shtesë, që për hirë të situatave që kemi kalu, që pesë vendet e Ballkanit të hyjnë si paketë në BE, si kanë deklaru si një pjesë e bashkëpunimi ekonomik më shumë me BE-në, gjatë këtij procesi të plotësohen standardet tjera…”, tha ai.

Haliti u shpreh se Kosova e ka fituar pavarësinë me mbështetjen e plotë të ShBA-së dhe se sipas tij, shteti i Kosovës është më shumë çështje e ShBA-së se e çdo kujt tjetër.

“Kam besim, Kosova është më shumë cështje e Amerikës se e çdo kujt, është bërë e pavarur, na ka mbështetë perëndimi dhe fuqishëm Amerika. Përgjegjësinë për stabilitetin dhe për të ardhmen e Kosovës e ka Amerika”, tha ai.

Ai e kriitkoi kryeministrin Kurti se nuk është transparent sa duhet sa i përket dialogut me Serbinë.

“Problemi është te josinqeriteti i Kurtit, për shkak se nuk po flet sinqerisht me opozitën. Opozita e ka për me futë njëfarë beteje kundër Kurtit, i cili vërtetë, çfarë s’ka bërë për ta luftu marrëveshjen e Brukselit. Edhe pozita dhe opozita fiton për poenë politike, beteja është për me fitu mbështetje më shumë, për ta kompromitu Qeverinë dhe kryeministrin, është e njëjtë gjë që e kanë bërë ata. Opozita tash është më e qetë, më e moderume, politikisht më e qartë”, tha ai.

Sipas tij, Kurti duhet të jetë më bashkëpunues me deputetët e opozitës.

“Edhe Albini nëse e don këtë vend, duhet këtë situatë me bashkëpunu me shpjegua çështjet, si tha ajo ministrja e Drejtësisë, që na informu në vija të trasha, neve në kuvend nuk na ka informu as në vija të trasha. Ka mungesë të transparencës, parlamenti gjithmonë kërkon më shumë. Konspiracionet ose çështjet që kanë të bëjnë me ruajtjen e sekretit, me projekte të caktuara të Qeverisë, përpiqen të kalohen pa zhurmë edhe në Kuvend”, tha ai.

Deputeti i PDK-së, tha se të gjitha vendet e BE-së dhe vetë ShBA-ja, kanë garantuar se Asociacioni nuk do ketë kompetenca ekzekutive.

“Garancioni i ambasadorit të ShBA, Escobar, deklarimi publik i vendeve kryesore të BE-së, edhe i Scholz, janë të gjithë të qartë edhe në raport me Kosovën edhe me Serbinë, Asociacioni nuk duhet dhe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive”, tha ai.

Haliti theksoi se marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, është interes i të dyja shteteve, dhe se integrimi në BE është i pamundur pa i rregulluar marrëdhëniet.

“Marrëveshja është interes edhe i Serbisë edhe Kosovës, edhe i serbëve brenda Kosovës edhe i shqiptarëve. Është interes sepse dëshirojmë të hyjmë në BE. Me problemet që i kemi mes vete është e pamundur të hyjmë edhe Kosova edhe Serbia”, tha ai.

Ai u shpreh se plani i BE-së, duhet të pranohet nëse është në përputhje me Kushtetutën e vendit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat