Në seancën e shqyrtimit gjyqësor kundër Shpejtim Knushit, i cili akuzohet se ka privuar nga jeta 44-vjeçarin, Muhamet Juniku, në Dujakë të Gjakovës, ka dhënë dëshminë bashkëshortja e të ndjerit, Erleta Juniku.
Dëshmitarja Juniku ka thënë se në shtëpinë e tyre në bjeshkë, familja e Knushit e kishte lidhur një kabllo të rrymës elektrike pa lejen e të ndjerit.
Sipas saj, Muhameti, tashmë i ndjerë, kishtë këputur kabllon në fjalë dhe kishte kërkuar nga vëllezërit e tij që të flasin me vëllezërit Knushi dhe të mos kenë probleme.
Siç raporton Betimi për Drejtësi, Erleta Juniku ka treguar se natën kritike ka qenë në shtëpi me vajzën e vogël dhe më pas është njoftuar nga familjarët e bashkëshortit, Muhametit, për atë që ka ndodhur.
E veja e Muhametit, ka thënë se të ndjerin e kishin dërguar në Gjakove në spital në gjendje të rëndë dhe pastaj e kanë transferuar në Prishtinë, nga plagët e rënda që i ka pësuar. Ajo tha se ditën tjetër e kishte takuar në repartin intensive ku ishte në aparatet e oksigjenit, i cili kishte qëndruar një javë dhe më pas ishte transferuar në një repart tjetër. Sipas saj, pas disa trajtimeve e kishin dërguar edhe në Tiranë, ku pas disa ditëve aty ka ndërruar jetë.
Seanca e radhës pritet të mbahet më 13 dhjetor në orën 10:00, ku do të japë dëshminë i dëmtuari, Osman Juniku.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Shpejtim Knushi më 4 korrik 2022 rreth orës 21:20, me dashje ka vrarë Muhamet Junikun.
E gjithë kjo dyshohet se ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje në lidhje me heqjen e një kablloje elektrike nga Juniku, në shtëpizën e Knushit në Bjeshkë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, pas konfliktit verbal mes palëve, në një moment Knushi ka nxjerrë nga brezi pistoletën dhe në një distancë prej 2-3 shtënë fillimisht në tokë afër këmbëve të viktimës e më pas e qëllon në pjesë vitale të trupit.
Për këtë, ai ngarkohet me veprat penale ‘Vrasje’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.