E konfirmon ambasadori amerikan: Asociacioni nuk paraqet autonomi brenda Kosovës

Aktuale

E konfirmon ambasadori amerikan: Asociacioni nuk paraqet autonomi brenda Kosovës

Më: 10 nëntor 2023 Në ora: 21:38 Përditësuar në ora: 21:55 më 10.11.2023
Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier

Hovenier pyetet mbi mundësinë e ekstradimit të Radoiçiq: Ai e pranoi që organizoi sulmin, duhet të mbahet përgjegjës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan që ta shohin Milan Radoiçiq të mbajë përgjegjësi për organizimin e sulmit terrorist në Bajnskë të Zveçanit më 24 shtator. Kështu bëri të ditur ambasadori amerikan, Jeff Hovenier në një diskutim në “Atlantic Council”.

Ai fillimisht u pyet për hetimet që po bëhen në lidhje me rastin që la të vrarë zyrtarin policor, Afrim Bunjaku.

“Hetimi ynë është në përfundim. Ne nuk jemi gati që të bëjmë të gjitha elemente e këtij hetimi, por dua të përsëris disa gjëra, e marrim këtë shumë seriozisht….Ka qenë një kërcënim ndaj sigurisë së Kosovës dhe sovranitetit, dhe një tragjedi. U vra një zyrtar policor i Kosovës, ka mundur të ketë të tjerë.” – u shpreh ai.

Hovenier tutje përsëriti që ShBA nuk e ka marrë lehtë këtë çështje, dhe se përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë.

Radoiçiq

Ndonëse tashmë është konfirmuar edhe nga pamjet, por edhe nga vetë ai, Radojiçiq nuk ka dhënë llogari para drejtësisë për organizimin e sulmit terrorist në Kosovë.

Hovenier u pyet edhe mbi mundësinë e ekstradimit të tij në Kosovë, gjë e cila është kërkuar nga autoritet e vendit tonë.

Në ShBA, Hovenier u shpreh se për një gjë të tillë, do të kishte bazë të mjaftueshme për të proceduar me çështje kriminale, derisa shtoi se Radoiçiq duhet të mbajë përgjegjësi.

“Z.Radoiciq e bëri të ditur përmes avokatit që ka qenë prezent dhe organizues i sulmit. Në sistemin e ShBA-së, do të kishte bazë të mjaftueshme për të proceduar me një çështje kriminale, nuk jam prokuror apo avokat. Ne besojmë që Radoiçiq është në mesin e njerëzve që duhet të mbahet përgjegjës, dhe presim që kjo të ndodhë.” – tha ai.

Hovenier: Ndihmat miliardëshe të BE-së në pikëpyetje nëse s’ka përparim mes Kosovës dhe Serbisë

Ambasadori i SHBA-së, Jeff Hovenier, në një intervistë për Atlantic Council, është pyetur edhe për atë nëse do të ketë pasoja në qoftë se Kosova dhe Serbia vazhdojnë të vonohen edhe më shumë dhe të mos bëjnë përparim në implementimin e marrëveshjeve dhe obligimeve.

Hovenier ka thënë se do të ketë humbje të mundësive, dhe thotë Scholz, Macron dhe Meloni kanë folur për pasoja pa i specifikuar, meqë s’duan që të duket si kërcënim.

“Do të ketë humbje të mundësive. Nëse e lexon qëndrimin e Scholz, Maron dhe Meloni ata flasin për të përparësitë nëse ecet përpara dhe për pasoja nëse nuk ndodh. Aty s’janë specifikuar, sepse s’duam që të duken si kërcënime”, ka thënë Hovenier.

Ai tutje ka shtuar se nga vetë zbatimi i marrëveshjeve ka përparime, duke përmendur me radhë pikat e marrëveshjes.

Ambasadori amerikan gjithashtu ka përmendur edhe “Planin e Rritjes” të Bashkimit Evropian për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai ka theksuar se bëhet fjalë për diku 6 miliardë euro që planifikohen të investohen në rajon, dhe se përfitimi nga to do të jetë i mundur nëse procesi i normalizimit do të ecë përpara, por do të vihet në pikëpyetje nëse s’do të ketë përparim.

“Ursula Von Der Lyen sapo ishte në rajon për të folur për “Planin e Rritjes” për investim të rreth 6 miliardë eurove në rajon për mbështetje të qëndrueshme. E gjithë kjo është e mundshme derisa normalizimi lëviz përpara, por e gjithë kjo vihet në pikëpyetje nëse ka ngecje. Këshilla jonë për Kosovën është që të mos lejojë stagnimin”, ka potencuar ambasadori Hovenier.

E konfirmon ambasadori amerikan: Asociacioni nuk paraqet autonomi brenda Kosovës

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

Hovenier tha se Asociacioni s’ka nevojë të ketë fuqi ekzekutive dhe nuk do të jetë nivel i tretë i qeverisjes në Kosovë.

“Draft-statuti që iu dha Qeverisë së Kosovës nga Miroslav Lajçaku dhe këshilltarët e Sigurisë Kombëtare të Francës, Gjermanisë, Italisë dhe të dërguarit special të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, besoj se i plotëson të gjithë këto kritere të cilat i përmenda”.

“Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës, nuk kërkon ndryshime kushtetuese. Nuk krijon autoritete ekzekutive apo kompetenca. Nuk paraqet ndonjë autonomi brenda Kosovës”, tha Hovenier.

Më tej, ai foli edhe për mënyrën se si Serbia do të mund të ofronte mbështetje financiare për serbët e Kosovës, gjë për të cilën, Hovenier tha se kjo ka qenë gjithmonë diçka e paraparë për Asociacioni dhe një gjë e tillë po ndodhë tani.

“Por po ndodh tani në një mënyrë që nga perspektiva jonë nuk e respekton plotësisht sovranitetin e Kosovës dhe nuk bëhet në një mënyrë. që është plotësisht në përputhje me ligjin e Kosovës. E gjithë ideja është se kjo tani do të rregullohej”.

“Ne jemi dakord me këtë. Kjo është e rëndësishme. Nëse Serbia dëshiron ta ushtrojë këtë të drejtë, duhet të jetë në gjendje, por ne besojmë se duhet bërë në një mënyrë që të respektojë strukturat ligjore të Kosovës, të respektojë Kushtetutën e Kosovës dhe të jetë transparente për Qeverinë e Kosovës. Kjo është ajo çka do të bënte Asociacioni”, tha ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat