Kurti: Serbia dëshiron ta shoh ndarjen e Kosovës, BE-ja mund të na ndihmojë
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se Serbia dëshiron ta shoh ndarjen e Kosovës.
Kështu ka thënë ai gjatë pjesëmarrjes në diskutimin me temën “Krijimi i paqes dhe ndërtimi i një botë më të sigurt”.
“Mendoj se njërën anë ata duan ta shohin ndarjen e Kosovës, do të donin një lloj kompensimi territorial”, ka thënë kryeministri Kurti.
“Fqinjët e Serbisë për aq sa nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian nuk janë të sigurt nga Serbia. Janë përfundimisht të hidhëruar me shpërbërjen e Jugosllavisë sepse kanë menduar që do ta shkatërronin dhe ta merrnin gjysmën e saj”.
Sipas tij, tani Serbia dëshiron të kompensohet duke fituar një lloj ndikimi në kryeqytetet e vendeve fqinjë ose duke përfituar territore.
“Besoj që Bashkimi Evropian mund të na ndihmojë shumë. Procesi evropian është shtegtimi që na ndihmon”, është shprehur kryeministri Kurti.
Kurti në Paris: Qëllimi i sulmit të 24 shtatorit ishte përshkallëzim i situatës në mënyrë që ushtria serbe të hynte në Kosovë
Kryeministri i vendit, Albin Kurti në ditën e dytë të Forumit të Paqes në një diskutim në kuadër të temës “Krijimi i paqes dhe ndërtimi i një bote më të sigurt”, tha se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë është kryer nga një grup terrorist dhe qëllimi ishte përshkallëzim i situatës në mënyrë që ushtria serbe të hynte në Kosovë.
Kurti në diskutimin “Krijimi i paqes dhe ndërtimi i një bote më të sigurt” i cili po moderohet nga Pascal Boniface, drejtor i Institutit francez për Çështje Ndërkombëtare dhe Strategjike (IRIS) tha se Serbia ka 48 baza ushtarake përreth kufijve me Kosovën dhe gjysma e tyre janë të ushtrisë dhe gjysma të xhandarmërisë.
“Më 24 shtator patëm sulm nga një grup terroristit, paramilitar nga Serbia në veri të vendit tonë, ku vranë një polic të Kosovës dhe sigurisht që kanë dashur të shkaktojnë një përshkallëzim të një mase më të madhe dhe të krijonin kaos si pretekst që ushtria serbe të hynte në Kosovë…” tha Kurti.
Sipas Kurtit, edhe zyrtarët amerikanë kanë thënë se ky masivizimi i trupave serbe përreth kufirit me Kosovën është i papranueshëm.
Sipas tij, shumica dërmuese e sulmuesve të 24 shtatorit vazhdojnë të jenë të lirë në Serbi, duke përfshirë edhe liderin e grupit, Milan Radoiçiqi i cili e ka pranuar se ka udhëhequr sulmin.
“Ai është arrestuar dhe liruar pas pak orësh…”, tha ndër të tjera Kurti.