Gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Sadik Halitjaha tha se “Luli” ishte pseudonimi i Kadri Veselit gjatë luftës.
“Ka qenë pseudonimi i Kadri Veseli”, tha Halitjaha, duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit James Pace, se a ka dëgjuar ai dikë t’i referohet ‘Shef Luli” dikujt më ‘98-’99 tek UÇK-ja.
Përpara kësaj, dëshmitarit iu prezantua një dokument, për të cilin ai tha se ka qenë për transferimin e një luftëtareje nga Zona e Pashtrikut në Zonën e Drenicës.
“Ky dokument ka qenë për transferin e një luftëtareje nga Zona e Pashtrikut në Zonën e Drenicës, fjala është për Kimete Krasniqin”, tha Halitjaha.
Ndërsa, sipas prokurorit në këtë dokument përmendej ‘Shef Luli”, gjë për të cilën dëshmitari tha se nuk e dinte se kush ka mundur të jetë në Drenicë.
“Dikujt iu ka referu këtu, po e shoh nënshkrimin e Tahir Sinanit. Nuk e di pse ‘shef Luli’, kush ka mujtë me qenë atje në Drenicë, nuk e di”, tha dëshmitari Sadik Halitjaha.
Në këtë dokument, Halitjaha tha se është i vendosur nënshkrimi i Tahir Sinanit dhe Halil Çadrakut. Për Sinanin, tha se ka qenë komandant i tij në Zonën e Pashtrikut.
“Dëshmitar a mund ta shihni këtu që dokumenti ka datën 19 gusht 1999 dhe që Halil Çadraku ka qenë ai që e ka nënshkruar si shefi i ZKZ-së”, pyeti prokurori.
Ndërsa, Halitjaha tha se Çadraku ka pasur të drejtë të nënshkruajë, pasi ende nuk ishte transformuar UÇK-ja në TMK.
“Këtë kohë ka qenë akoma pa u transformuar UÇK-ja në TMK, domethënë muaji korrik, normal ka pasur të drejtë Halili që ta nënshkruajë”, u përgjigj dëshmitari.