Për ditën e sotme ka mbaruar dëshminë e tij dëshmitari Shefqet Kabashi ndërsa pritet që të njëjtën ta vazhdojë në seancën e nesërme.
Po ashtu, sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III në seancën e së nesërmes pritet që të dëgjohet edhe dëshmitari Sadik Halitjaha i cili dëshminë e tij e filloi të hënën më 13 nëntor 2023.
Në fund të seancës, dëshmitarin Kabashi e mori në pyetje mbrojtja e Rexhep Selimit, përmes avokatit Geoffrey Roberts, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Roberts tha se nuk ka dëshmi të shkruar që të ketë folur dëshmitari lidhur me urdhrin për vrasjen e Fadil Gashit.
“Nuk ka dëshmi të shkruar me sa dini për urdhrin e Fadil Gashit gjatë këtyre 20 viteve nga 1998 dhe 2019 kur e përmendet për herë të parë në televizion”, tha Roberts.
“Në qoftë se nuk ka ndonjë procesverbal të shkruar, nuk ka. Cila është diferenca këtu?”, tha dëshmitari duke u përgjigjur në pyetjen e avokatit Roberts.
Ndërsa Roberts tha se me këtë mund t’i japin fund për sot pyetjeve të tij për dëshmitarin në mënyrë që të vazhdohet në seancën e nesërme.
Seanca e nesërme do të fillojë nga ora 15:00 deri në orën 19:30 dhe si zakonisht me 45 minuta vonesë në transmetim.