Specialja ia vazhdon paraburgimin edhe Jakup Krasniqit

Aktuale

Specialja ia vazhdon paraburgimin edhe Jakup Krasniqit

Më: 15 nëntor 2023 Në ora: 14:04
Jakup Krasniqi

Pas vazhdimit të paraburgimit për Rexhep Selimin, Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ia kanë vazhduar të njëjtën masë edhe Jakup Krasniqit.

Vendimi për vazhdimin e masës së paraburgimit për Jakup Krasniqin është marrë nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith me 15 nëntor 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas vendimit, gjatë parashtrimeve të veta me 25 tetor 2023, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit për Krasniqin pasi nuk ekziston ndonjë ndryshim i rrethanave që nga vendimi i kaluar.

“ZPS kërkon vazhdimin e paraburgimit të z. Krasniqi. Ajo argumenton se: (i) në mungesë të ndonjë ndryshimi të rrethanave që nga vendimi i njëmbëdhjetë për paraburgim, paraburgimi i z. Krasniqi mbetet i nevojshëm dhe i arsyeshëm; dhe (ii) ecuria e vazhdueshme e gjykimit, dhe zbulimet e mëtejshme duke i dhënë z. Krasniqit qasje më të madhe në informacione në lidhje me dëshmitarët e ndjeshëm dhe rastin kundër tij, mbështesin domosdoshmërinë dhe arsyeshmërinë e paraburgimit të tij”, thuhet në vendimin për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Jakup Krasniqit.

Ndryshe nga ZPS-ja, mbrojtja e Krasniqit ka kërkuar lirimin e tij duke pohuar se tani tri vjet pas paraburgimit të tij fillestar, çdo rrezik i mbetur dhe i identifikuar nga Paneli është i pamjaftueshëm për të justifikuar vazhdimin e paraburgimit.

“Mbrojtja e Krasniqit kërkon lirimin e menjëhershëm të z. Krasniqi, duke iu nënshtruar kushteve që Paneli i konsideron të përshtatshme. Ajo pohon se, në këtë moment kohor, tre vjet pas paraburgimit të tij fillestar, çdo rrezik i mbetur i identifikuar nga Paneli është i pamjaftueshëm për të justifikuar paraburgimin e vazhdueshëm të z. Krasniqi”, thuhet në vendim.

Ndërsa në përgjigje të kësaj, ZPS-ja parashtron se kërkesa e mbrojtjes duhet të refuzohet dhe se Krasniqi duhet të qëndrojë në paraburgim.

ZPS-ja në arsyetimin e kërkesës së saj për vazhdimin e paraburgimit pretendon se ekziston rreziku i arratisjes, pengimi i ecurisë procedurale dhe rreziku i kryerjes së krimeve të tjera nga Krasniqi.

Pas shqyrtimit të kërkesave të ZPS-së dhe mbrojtjes së Krasniqit, Paneli i gjyqtarëve në krye me gjyqtarin Charles Smith III ka urdhëruar vazhdimin e paraburgimit për Jakup Krasniqin.

Po ashtu, me anë të këtij vendimi është urdhëruar mbrojtja e Krasniqit që të dorëzoi një version publik të redaktuar të përgjigjes deri me 22 nëntor 2023 si dhe ka urdhëruar regjistrin që të riklasifikojë përgjigjen si publike.

Sipas vendimit, Zyra e Prokurorit të Specializuar është udhëzuar që të paraqesë parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të  Krasniqit jo më vonë se 22 dhjetori 2023. Ndërsa, përgjigjet e mbrojtjes jo më larg se data 4 janar 2024. Në rast se ka  sërish kundërpërgjigje për mbrojtjen nga ZPS-ja, të dorëzohen jo më larg se 9 janari 2024.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat