Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi thotë se mos bërja publike e draftit të statutit të Asociacionit të propozuar nga Bashkimi Evropian, po i lë deputetët në “një terr informativ”.
Musliu-Shoshi thekson se kryeministri Kurti nuk është duke u treguar “i sinqertë”se çfarë përmban draft-statuti, të cilin ai e ka quajtur më të avancuar se ai i kaluari.
“Kurti nuk ka qenë aspak i qartë se çfarë ka pranu dhe çka përmban. 2013 është marrëveshje ndërkombëtare, që Kosova si shtet sovran e ka me patjetër obligim që ta implementojë. 2015 është një aktvendim i Gjykatës Kushtetuese, e cila plot në 23 pika e thotë qartë se çka duhet të përmbajë ky Asociacion. PDK-ja në vazhdimësi e ka përkrahur që të ketë Asociaiconin pa kompetenca ekzekutive. Dhe një gjë e tillë ka qenë e mirëpritur që të implementohet. Kurti sot thotë që është një Asociacion, mirëpo nuk tregon se çka përmban. Çka kupton me fjalën avancim, çka do të thotë avancim? A ka më shumë kompetenca, a është në të vërtetë një Zajednicë dhe një autonomi për serbët në Kosovë, apo çka përmban?!”, deklaroi ajo.
Sipas saj, “nuk ka asnjë fshehtësi që duhet të mbahet nga qytetarët dhe deputetët”.