Në kuadër të vizitës zyrtare në Bruksel, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Memli Krasniqi ka takuar sot emisarin special evropian për dialogun Kosovë -Serbi, Miroslav Lajçak.
Në takim është biseduar mbi zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe procesi dialogut, përfshirë draft-statuti i propozuar i asociacionit.
Krasniqi ka bërë të ditur se ka ripërsëritur qëndrimin e PDK-së, se statuti i asociacionit duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, të mos krijojë një nivel të ri të pushtetit dhe të mos ketë kompetenca ekzekutive.
“Në takim, emisarit Lajçak, po ashtu, i kërkova që të ndikojë që Bashkimi Evropian të heqë sa më parë sanksionet e padrejta ndaj Republikës së Kosovës”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.