Analisti, Arton Demhasaj, vlerësoi që Qeveria e Kosovës nuk e miraton draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ai këtë e ka thënë duke u bazuar në draft-statutin e publikuar jo zyrtarisht, në cilin thuhet se statuti i Asociacionit miratohet në seancën e parë konstituive të Kuvendit të Asociacionit.
Madje, Demhasaj e konsideroi të rrezikshëm faktin që komunat e kanë mundësinë të hyjnë dhe të dalin me dëshirë nga ky Asociacion.
“Qeveria nuk e miraton statutin e Asociacionit. Por, e miraton vetë Asociacioni, pra në seancën e parë konstituive, Asociacioni e miraton statutin. Fakti që komunat me dëshirë bëhen pjesë e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe fakti që me dëshirë mund të dalin nga ky Asociacion, nga kjo e nuhas një rrezik shumë të madh. Fillimisht 10 komunat me shumicë serbe mund të bëhen pjesë e Asociacionit, pastaj në ndërkohë këto 6 komunat që janë në pjesën tjetër të Kosovës mund të tërhiqen, e pastaj mbesin vetëm katër komunat veriore, e kur mbesin vetëm këto komuna në një Asociacion, atëherë gradualisht mund edhe të ndahen”, deklaroi Demhasaj.
Po ashtu, ky i fundit tha se Qeveria së bashku me ekspertë juridik, qysh në fillim është dashur ta hartojnë një draft-statut.