Zemaj: Sipas parashikimeve, do jenë mbi 5 mijë pjesëmarrës në Konventën e LDK-së

Aktuale

Zemaj: Sipas parashikimeve, do jenë mbi 5 mijë pjesëmarrës në Konventën e LDK-së

Më: 16 nëntor 2023 Në ora: 00:31
Armend Zemaj

Më 19 nëntor, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do ta mbajë Kuvendin zgjedhor. Me këtë rast, anëtari i kësaj partie, Armend Zemaj dha detaje rreth organizimit.

Zemaj bën të ditur se ky Kuvend do të ketë karakter festiv, programor dhe mobilizues.

“Do të thotë i ka tri koncepte që përfshihen, e para zgjedhja e strukturave të reja që përfshin kryetarin dhe këshillin e përgjithshëm, është konventa programore, ku 29 departamente kanë punuar për dy vite në programin e ri qeverisës dhe mobilizimi që të ftuar janë të gjithë delegatët që kanë marrë pjesë në strukturat tona, por edhe anëtarë dhe anëtare që dëshirojnë ta dëgjojnë Konventën programore”, deklaroi ai.

Tutje, deputeti i LDK-së theksoi se sipas parashikimeve që kanë, do jenë mbi 5 mijë pjesëmarrës.

“Është një organzim i madh dhe sipas parashikimeve tona dhe mundësisë që ofron salla e sportit në Pallatin e Rinisë, diku do të jenë mbi 5 mijë pjesëmarrës. Dhe në anën tjetër, 355 delegatë”, shtoi ai.

Konventa do të mbahet të dielën nga ora 17:00, në Sallën e Sporteve në Pallatin e Rinisë, teksa LDK-ja ka njoftuar se do të shpalosen 100 zotimet e “Rrugës së re”.

Deri tani, kandidatë për kryetar të LDK-së, janë Lumir Abdixhiku dhe Faton Bislimi. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat