LIVE: Vazhdojnë përplasjet e ashpra në Kuvend, qeveria dhe opozita nuk i ndalin akuzat – flitet edhe për një rekord të ri

Aktuale

LIVE: Vazhdojnë përplasjet e ashpra në Kuvend, qeveria dhe opozita nuk i ndalin akuzat – flitet edhe për një rekord të ri

Më: 16 nëntor 2023 Në ora: 06:59 Përditësuar në ora: 13:21 më 16.11.2023
Kuvendi i Kosovës

Bajrami: Nuk ka shanse të bëhen të gjitha rritjet buxhetore me 78 milionë euro më shumë të buxhetit për vitin 2024

Deputetja nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për projekligjin për buxhetin e vitit 2024.

Ajo, në seancën e sotme të Kuvendi të Kosovës, ka deklaruar se ekzekutivi e ka përmendur rritjen por nuk ka përmendur se ku e kanë ulur buxhetin për rritjet që i kanë planifikuar.

“Në planifikimin e këtij buxheti keni rritje me vetëm 2.3 për qind ose 78 milionë euro më shumë në krahasim me vitin e kaluar, nuk ka shanse me i bo të gjitha këto rritje që i keni përmendur në disa fusha me 78 milion euro më shumë”.

“Rritja e buxhetit është vetëm 2 për qind nëse flasim në terma të planifikimit, kur flasim ky është instrumenti i fundit buxhetor për realizimin e premtimeve të Qeverisë Kurti”.

Bajrami ka përmendur disa prej premtimeve të LVV-së para se të hynin në qeverisje, sipas saj, asnjë prej këtyre premtimeve nuk janë realizuar deri tani.

“Këto premtime Kurti i pati bërë program qeveritar i ka lexuar këtu kur është votuar kabineti qeveritar. Tha se do të lirohet çmimi i energjisë, një litër qumësht, vaj e sheqer do të jetë më e ulët, paga minimale do të rritet, patët premtuar 160 çerdhe, 4 mijë banesa për çifte, sigurimet shëndetësore, Fondin Sovran, punë e drejtësi”, ka thënë Bajrami.

Muja: Mbi 800 milionë euro për paga dhe mëditje nga projektbuxheti 2024

Kryetari i Komisionit për Punë, Buxhet dhe Transfere, Armend Muja tha se është miratuar projektligji për ndarjen buxhetore të vitit 2024, pas diskutimeve me Ministrinë e Finanvace. Ai potencon se shpenzimet buxhetore propozohen të jenë mbi 3 miliardë euro.

Muja, gjatë seancës së Kuvendit tha se borxhi i përgjithshëm bazuar në propozimin për ndarje buxhetore parashihet të jetë 20.7 për qind në raport me bruto produktin vendor.

Muja: Shpenzimet buxhetore parashihen të jenë mbi 3 miliardë euro

“Komisioni për Punë, Buxhet dhe Transfere e ka shqyrtuar projektligjin për ndarjen buxhetore të vitit 2024 dhe pas diskutimeve dhe sqarimeve të marra nga Ministria e Financave e ka miratuar në parim. Shpenzimet e propozuara buxhetore propozohen të jenë 3 miliardë e 314 milionë euro. Propozimi mbështet në një projeksion të të hyrave prej 3 miliardë e 28 euro dhe nevojën për financim të jashtëm dhe të brendshëm. Bilanci i propozuar buxhetor është brenda rregullës fiskale ashtu siç parashihet në ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë. Borxhi i përgjithshëm bazuar në propozimin për ndarje buxhetore para shihet të jetë 20.7 për qind në raport me bruto produktin vendor, që në vete paraqet një rritje të lehtë krahasuar me 19.7 për qind sa parashihet të jetë deri në fund të vitit 2023”, tha Muja.

Ndër të tjera, Muja potencoi se nga ky buxhet parashihet që mbi 1 miliardë euro të ndahen për subvencione dhe transfere, derisa shtoi se vlera e ndarë për paga dhe mëditje arrin shifrën 805 milionë euro.

Tuje, Muja tha se 859 milionë euro parashihet të ndahen për investime kapitale, derisa tregoi se 519 milionë të tjera planifikohet të jenë për mallra dhe shërbime.

Muja: 859 milionë euro për investime kapitale

“Gjykuar sipas klasifikimit ekonomik, projektligji për ndarje buxhetore për vitin 2024 parashihet 1 miliard e 62 milionë euro në kategorinë e subvencioneve dhe transfereve apo rreth 32 për qind të buxhetit të përgjithshëm. 805 milionë euro për paga dhe mëditje, apo 24.3 për qind të buxhetit të përgjithshëm. 859 milionë euro për investime kapitale apo 26 për qind të buxhetit të përgjithshëm dhe 519 milionë euro për mallra dhe shërbime. Gjykuar sipas klasifikimit funksional, buxheti është shpërndarë sipas dëgjimit buxhetore me ministritë e linjës dhe agjencitë e institucionet e pavarura. Ky projekt propozim do të jetë subjekt i shqyrtimeve dhe diskutimeve nga komisionet parlamentare”, theksoi Muja.

Kurti: Nuk do ketë zbrazje të Kosovës pas 1 janarit, ata shkojnë për t’u kthyer

Kryeministri i vendit, Albin Kurti beson se vendi nuk do të zbrazet pas 1 janarit, kur qytetarët e Kosovës do mund të udhëtojnë pa viza.

Këtë deklaratë Kurti e dha gjatë seancës në Kuvend, teksa shtoi se qytetarët do udhëtojnë “për t’u kthyer”.

“Unë nuk mendoj që po zbrazet Kosova. Ka emigirim, por nuk ka zbrazje të Kosovës dhe nuk do të ketë as pas 1 janarit. Sepse ju e dini shumë mirë që ata që do të shkojnë tani pa nevojë për vizë në zonën Schengen, duhet të kthehen. Ata nuk shkojnë sikurse në vitet e 90-ta kur kemi qenë të okupuar për azil politik, ose azil ekonomik, pse të dyja këto. Ata shkojnë dhe unë jam i bindur që kjo i ndihmon komunitetin e biznesit dhe studentët tanë. Po shkojnë për t’u kthyer”, u shpreh kreu i Ekzekutivit.

Nga 1 janari, qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza vetëm deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga shtetet anëtare të Zonës Schengen. 

Haradinaj: Buxheti i viti 2024 ka rritjen më të vogël që nga çlirimi i vendit

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se buxheti i viti 2024 ka rritjen më të vogël që nga çlirimi i vendit.

Ai ka thënë rritja e koeficientit nga 105 në 105 nuk është rritje, por zvogëlim i pagës.

“ Rritja nominale për vetëm 102 milionë euro, praktikisht është zvogëlim real i buxhetit, kur marrim parasysh shkallën e inflacionit në këtë vite dhe në vitin që vjen. Kjo është rritja më e vogël e një buxheti që nga çlirimi i vendit. Rritja e koeficientit të  pagave nga 105 në 110 euro nuk është rritja, e as harmonizimi, por zvogëlim real i pagave. Indeksi i çmimeve të konsumit është 5.1 për qind në këtë vit dhe 2.7 për qind i parapamë për vitin e ardhshëm, pra e argumenton këtë”.

Haradinaj, tutja ai ka thënë se paret nuk shpenzohen kur ato i investoni, por kur ministri t’i bart në vitin tjetër.

“Jo vetëm shtesat e rrezikshmërisë. Mos harroni, paret nuk i shpenzoni kur ato i investoni, por kur ministri ti bart në vitin tjetër. Dyfishimin i pagave për ushtarët, për policët, për AKI-në, për Doganat, për gjyqësorin, për zjarrfikësit, emergjencat…”, tha Haradinaj.

Me tej në Kuvend, ai ka thënë se është shqetësuese nënçmimi që iu bëhet nga Qeveria për disa kategori.

“Shqetësuese është në veçanti nënçmimi që iu bëhet disa kategorive si Policia e Kosovës, shëndetësia, drejtësia etj, të dëmtuar nga Qeveria ,nga mohimi i pagesave të shtesave për rrezikshmëri dhe punë shtese të garantuara me ligjin në fuqi”.

Ai ka thënë se po ashtu investimet kapitale të shtuara vetëm për 48 milionë nuk mundësojnë ndonjë zhvillim ekomomik, pasi sipas tij, 90 për qind e projekteve të parapara për vitin 2023 janë bartur në buxhetin e 2024.

“Investimet kapitale të shtuara vetëm për 48 milionë nuk mundësojnë ndonjë zhvillim ekomomik, praktikisht janë stagnim, kur marrim parasysh se 90 për qind e projekteve të parapara për realizim në vitin 2023 nuk janë realizuar, por bartën në vitin buxhetor 2024. Ndërsa, mbi 80 për qind e projekteve kapitale të listuara në buxhetin që po e shqyrtojmë sot, janë projekte të paralizuara në tri vitet e fundit, e të bartuara në vitin 2024”, ka deklaruar Haradinaj në Kuvend.

Tahiri: Ky buxhet është elektoral, vitin e ardhshëm jemi në zgjedhje

Projektbuxhet i vitit 2024 po diskutohet sot në Kuvendin e Kosovës.

Me këtë rast deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Besnik Tahiri, tha se ky buxhet është elektoral.

“Për shkak se ne sot një vit me kalendarin e rregullt jemi në zgjedhje. Ju po dëshironi që këto mjete që i keni bartë vit pas viti, të i shfrytëzoni”, tha Tahiri.

Tahiri theksoi se kjo qeveri nuk e ka mbajtur asnjë premtim dhe asnjë qëndrim rreth krizës dhe zhvillimit ekonomik.

Ai shtoi se kjo qeveri i ka zbritur pagat.

Buxheti për vitin 2024 parashihet të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro.

Zv/ministri Durimishi reagon pas deklaratës së Hotit: Sapo gënjeu në Kuvend

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka thënë se deputeti Avdullah Hoti nuk e ka treguar të vërtetën lidhur me rrugën nga ‘Gorenje’ deri në Graçanicë.

Hoti tha sot në seancën e Kuvendit të Kosovës, në të cilën po diskutohet për projekt-buxhetin e vitit 2024, se nuk janë ndarë mjetet për rrugën Veternik deri në Graçanicë.

Por, këtë deklarim të Hotit e ka demantuar Durmishi.

“Sapo gënjeu Avdullah Hoti Tha se nuk është ndarë buxhet për rrugën nga Gorenje e deri në Graqanicë”, tha Durmishi.

Durmishi tha se qeveria ka ndarë 2 milion e gjysmë euro për këtë rrugë.

“Për këtë rrugë kemi filluar procedurat e prokurimit dhe me 21 nëntor është hapja e ofertave. Gjithashtu në buxhetin që e kanë deputetët para vetës për këtë rrugë janë ndarë 2 milion e gjysmë euro”, tha ai.

Hoti: Deri në fund të këtij viti kjo qeveri do të shpenzojë 8.1 miliardë euro, efektet janë të pavërejtshme

Kuvendi i Kosovës është duke e shqyrtuar sot Projektligjin mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2024.

Deputeti nga radhët e LDK’së, Avdullah Hoti, ka thënë se kjo qeveri gjatë mandatit qeverisës ka në dispozicion 11.4 miliardë euro dhe se me mbarimin e këtij vitin shpenzohen 8.1 miliardë euro, por se efektet janë të pavërejtshme.

“Gjatë këtij mandati qeverisës 2021-2024, në total kjo mazhorancë ka menaxhuar, me buxhetin e vitit 2024, menaxhohen 11.4 miliardë euro, pra ka pas në dispozicion për të shpenzuar. Deri më tani janë shpenzuar, pra me mbarimin e këtij viti, shpenzohen 8.1 miliardë euro dhe më duhet ta them dhe ta përsërisë që efektet konkrete janë shumë të pavërejtshme. Njëra nga arsyet që besoj se është shumë e qëndrueshme është se ka ndërru struktura e buxhetit, është përkeqësuar struktura e buxhetit”, tha Hoti.

Sipas Hotit, është përkeqësuar struktura e buxhetit. Ai ka bërë një krahasim mes vitit 2017 dhe 2022.

“Nëse e krahasoni vitit 2017 me atë të vitit 2022, investimet kapitale kanë rënë nga 36 përqind në 16 përqind të buxhetit si shpenzim real. Ndërsa subvencionet janë rri nga 23 përqind në 41 përqind të buxhetit. Kjo është arsyeja pse nuk shohim efekt real në rritjen ekonomike në vend nga ky buxhet”, ka thënë Hoti.

Kurti për buxhetin e vitit 2024: Do të jetë buxhet i mbrojtjes dhe i sigurisë

Kryeministri, Albin Kurti ka prezantuar sot në Kuvendin e Kosovës buxhetin për vitin 2024.

Ai ka thënë se ky buxhet do jetë i mbrojtjes dhe sigurisë, për çfarë kanë ndarë edhe 370 milionë euro.

Kurti, po ashtu tha se gjatë vitit të ardhshëm Forcës së Sigurisë së Kosovës do t’i shtohen 600 ushtarë të rinj, ndërsa Policisë 500 pjesëtarë tjerë.

“Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2024 do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro. Ai do të jetë buxhet i mbrojtjes dhe i sigurisë, për çfarë kemi ndarë 370 milionë euro ose 22 për qind në shumë se sa aktualisht. 153 milionë euro i kemi ndarë për Ministrinë e Mbrojtjes dhe 216 milionë euro për Ministrinë e Punëve të Brendshme, më se shumti ndonjëherë. Ushtrisë sonë të cilës ja kemi rritur buxhetin për më shumë se dy fish prej që kur kemi ardhur në Qeveri dhe numrin e ushtarëve për më shumë se 2/3, do të ia shtojmë edhe 600 ushtarë më shumë në vitin 2024. Kurse policia jonë e cila ka 850 policës të rijnë gjatë qeverisjes sonë, vitin tjetër do të këtë edhe 500 rekrutë të tjerë dhe 21.7 milionë euro për investime kapitale ose 9 milionë euro më shumë sesa këtë vit”, ka thënë Kurti në seancën e Kuvendit, ku po diskutohet buxheti për vitin tjetër.

Tutje, kryeministri ka thënë se kanë ndarë 29 milionë euro për vitin e ardhshëm për masat e punësimit.

“Buxheti i vitit 2014 do të jetë po ashtu prioritet në programin qeverisës sa i përket nevojave të qytetarëve për një ekonomi të fortë më shumë vende punë, për një shëndetësi gjithëpërfshirëse më shërbime me të mira, arsim të zhvilluar me cilësi më të lartë, e sundim të ligjit me drejtësi të reformuar. Për gjatë gati 32 muajve të mandatit ekonomisë ju shtuan 60 mijë vende punë, ku gjysma te të punësuarve janë të rinj dhe të reja nën moshën 25 vjeçare. Vetëm përmes platformës  “Super Puna” për 8 muaj që nga funksionalizimi i saj, janë punësuar mbi 7 mijë e 700 të rinj mes moshës 18-25 vjeç… në buxhetin e vitit të ardhshëm kemi ndare 29 milionë euro për masat e punësimit. Ndërsa sa i përket sektorit publik, koeficienti I pagave për vitin e ardhshëm do të këtë 110 euro…”.

Ai po ashtu ka prezantuar buxhetin për sektorët tjera.

“Për vitin 2024 shëndetësinë kemi ndarë mbi 340 milionë euro përfshire edhe grandin për komunat. Sektorin e Arsimin do ta mbështesim me 370 milionë euro. Me projekt buxhetin për vitin 2024 forcojmë mbrojtjen e Republikës, e rrisim sigurinë e qytetarëve dhe e mundësojmë zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e popullit”, tha ai.

Lushtaku: Ky buxhet i lë qytetarët e varfër, asnjë projekt me të cilin mund të krenohen

Kuvendi i Kosovës po e mban seancën e radhës plenare ku po diskutohet Ligji mbi Ndarjet Buxhetore.

Lidhur me këtë ka folur edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Mërgim Lushtaku.

Ai tha se ky buxhet nuk i përmbush kërkesat e qytetarëve.

“Si i tillë duket i madh në shifër, por në situatë krize por edhe në mungesë të lidershipit kur gjithçka është më e shtrenjtë, i lë më të varfër qytetarët e Kosovës”, tha Lushtaku.

Deputeti i PDK-së tha se kjo qeveri nuk e ka asnjë projekt me të cilin ia vlen të krenohet.

“Për këto tre vjet të qeverisjes i keni planifikuar 10 miliardë euro shpenzime, prej të cilëve nuk rrjedh asnjë projekt madhor, asnjë projekt me të cilin mund të krenohen qytetarët e Kosovës”, tha ai.

Buxheti për vitin 2024 parashihet të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro.

Kuvendi vonohet për fillimin e seancës për projektbuxhetin

Kuvendi i Kosovës, ende nuk ka filluar seancën plenare, ku të vetmen pikë të rendit të ditës ka shqyrtimin në parim të projektbuxhetit të vitit të ardhshëm.

Kjo seancë është planifikuar të mbahet në orën 10:00, ndërkohë që edhe pas një ore nuk ka filluar.

Asnjë ministër nuk është i pranishëm në sallën plenare, derisa të njëjtit deri më tani kanë mbajtur mbledhjen e qeverisë.

Në seancën e sotme është paraparë të shqyrtohet për herë të parë projektbuxheti i vitit të ardhshëm, i cili ka vlerën mbi 3.3 miliardë euro.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat