Pjesëtarët e NJSI-së kanë protestuar më 1 nëntor për të shprehur pakënaqësitë lidhur me pagën, rrezikshmërinë dhe shtesat e tjera.
Të njëjtit kishin paralajmëruar edhe një protestë tjetër, por që të njëjtën e anuluan pasi kryeministri Albin Kurti u premtoi që do t’i takonte.
Por, se a pritet që pas vendimit të ketë përsëri protesta, ish-drejtori i Policisë Rashit Qalaj, thotë se është çështje e Sindikatës.
“Nuk e di, kjo është çështje e secilit pjesëtar të Policisë, është çështje e Sindikatës së Policisë, është çështje e Njësive të Policisë. Por, atë çka unë mund të them si ish-drejtor i Policisë dhe po ashtu si deputet i PDK-së mund të them që është gabim i madh që fillimisht policët nuk janë trajtuar si duhet me paga, me koeficientin e pagave e pastaj janë dëmtuar skajshmërisht edhe me këto shtesa mbi rrezikshmërinë. Mendoj, që qasja e Qeverisë ndaj Policisë dhe organeve të sigurisë nuk është e duhur dhe duhet sa më shpejtë që është e mundur të rishikohet qasja ndaj Policisë”, është shprehur ai.
Qalaj, thotë se ngritja e koeficientit prej 5 euro për vitin e ardhshëm është qesharake.
“Unë mendoj se edhe buxheti që e diskutojmë sot është gabim meqenëse nuk shoh ndonjë rritje të pagave për policët. Kjo, ngritja e koeficientit prej 5 euro mendoj që është qesharake dhe është fyese. Duhet që Policia e Kosovës të ketë një pagë dinjitoze dhe po ashtu duhet që t’i ketë të gjitha ato të drejta që u takojnë me ligj”, ka shtuar Qalaj.