Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, pas takimit të sotëm në Bruksel me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka deklaruar se nuk është diskutuar për Asociacionin e komunave me shumicë serbe pasi sipas tij, pa nënshkrim nuk mund të nis zbatimi.
Por skeptik për një gjë të tillë është shprehur analisti politik, Visar Xani i cili thotë se nuk është për t’i besuar një deklarateje të tillë të Bislimit.
Kjo pasi siç tha ai, “nuk e di kush nuk po fol më për këtë temë”.
“Nuk e di kush nuk po fol më për këtë temë, vetëm zoti Bislimi nuk e paska pasë në agjendë dhe nuk besoj që është për t’i besuar këtij aspekti. Ndoshta ka ndonjë qëllim strategjik zoti Bislimi në ktë aspekt, por që ka qenë në tryezë, ka qenë në bisedime, është në agjendë në çdo nivel të takimit kjo nuk mund të mohohet edhe më nuk ka ndonjë diskutim”, tha Xani.
Derisa theksoi nevojën për transparencë të Qeverisë në raport me dialogun me Serbinë.
“Ka nevojë delegacioni i Kosovës të jetë më transparent. Nuk them të hapet deri aty ku mund të dëmtohet procesi, por deri aty ku e ka për obligim të njoftojë qytetarët, deri aty ku e ka për obligim të ndajë edhe dikasteri i tij. Besoj që e ka këtë mandatë, prandaj është me rëndësi të ketë transparencë më shumë të kuptojmë pak më shumë”, shtoi Xani.