“Kushtojini vëmendje Ballkanit. Më besoni, ne kemi informacione. Rusia ka një plan të gjatë. Lindja e Mesme, shpërqendrimi i dytë do të jetë Ballkani. Në fund të fundit, nëse partnerët nuk bëjnë diçka tani, atëherë do të ketë një shpërthim atje përsëri, dhe sërish-kjo nuk do të jetë një histori e re. Marrëdhëniet e tyre kanë qenë në krizë për një kohë të gjatë”.
Kjo deklaratë e presidentit Ukrainës ka nxitur reagime nga politikanët në rajon dhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar.
Eksperti i sigurisë Avni Islami tha në një intervistë për Euronews Albania se paralajmërimi i Zelenksit nuk është diçka e re, pasi të gjithë e dinë që Rusia vazhdimisht në 100 vitet e fundit është e interesuar që rajoni të jetë i trazuar dhe ta shtrijë ndikimin edhe më tej.
“Jo rastësisht thuhet që porta e Evropës janë shqiptarët në rajon ndërsa dritarja është Polonia. Janë dy pika kyçe ku Rusia përpiqet të depërtojë në thellësi të Evropës. Rusia është e interesuar që të nisë një luftë në Ballkan në mënyrë që të bëhet shpërqendrimi i faktorit ndërkombëtar nga Ukraina”, tha eksperti.