Zjarri në zyrat e IML-së, Haxhiu heq dyshimet: Nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivës së IML dhe mostrave

Aktuale

Zjarri në zyrat e IML-së, Haxhiu heq dyshimet: Nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivës së IML dhe mostrave

Më: 21 nëntor 2023 Në ora: 09:27 Përditësuar në ora: 15:12 më 21.11.2023
Zjarr në zyrat e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës në Prishtinë, 21 nëntor 2023.

Haxhiu: S’ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivës së IML-së dhe mostrave

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivës së Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe mostrave.

Në llogarinë e saj në Facebook, ajo ka shtuar se pa u kuptuar shkaqet e zjarrit, nuk mund të japë më shumë informacione.

“Rreth orës 08:00 të mëngjesit, nga drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti, jam njoftuar që dy zyra në katin e dytë në objektin e IML, janë përfshirë nga zjarri”, ka shkruar Haxhiu.

“Ekipet e zjarrfikësve, policia, prokuroria menjëherë kanë shkuar në vendim e ngjarjes. Nga vlerësimet fillestare, nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivës së IML dhe mostrave. Ekipet e forenzikës dhe ekspertët e zjarrit dhe të elektroteknikës janë ende duke e kryer punën e tyre me qëllim që të dihen shkaqet e zjarrit”, ka shtuar ajo.

Sipas saj, Policia dhe prokuroria po ashtu janë duke bërë punën e tyre.

“Për shkak të atyre që kanë ndodhur në IML, me të drejtë qytetarët mund të jenë të shqetësuar lidhur me këtë mirëpo pa kuptuar shkakun e zjarrit nuk mund të japim informacione më shumë. Sapo të kemi informacione më të detajuara lidhur me rastin, do të njoftojmë me kohë”, ka shkruar në fund Albulena Haxhiu.

​Zjarri në QKUK, nuk ka të lënduar

Një zyre e ndanë në dysh e që dyshohet të jetë e drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, është përfshirë nga zjarri mëngjesin e sotëm.

Zëvendëskomandanti i zjarrfikësve, Abdusamed Shkodra, ka deklaruar për media se në momentin e pranimit të lajmit, ekipi i zjarrfikësve ka dalë në terren dhe ka lokalizuar zjarrin.

Shkodra para gazetarëve tha se ka dëme materiale, porse fatmirësisht nuk ka të lënduar.

Shkodra: Fatmirësisht nuk ka pas të lënduar

"Sot rreth orës 07:54 Brigada e Zjarrfikësve të Prishtinës ka pranuar lajm nga stafi i Institutit të Mjekësisë Ligjore ka pranuar lajmin se është duke u ndezur objekti i IML-së. Ekipi i zjarrfikësve menjëherë ka dalë më vendin e ngjarjes, kanë intervenuar për një kohë shumë të shpejtë kanë lokalizuar zjarrin. Edhe në këto momente është duke vazhduar në fikjen e zjarrit, çdo gjë është nën kontroll, nuk ka diçka rrezik. Fatmirësisht nuk ka pas të lënduar, momentin që janë ardhë zjarrfikësit këtu, stafi që kanë qenë këtu veç janë dalë jashtë. Ka dëme materiale, është e përfshirë një zyre e ndanë në dysh, ka materiale, dokumente të zyrës, punës. Sa kemi informatë është zyra e drejtorit, informata të sakta nuk kemi as ne", tha ai.

-----

Një zjarr i ka përfshirë disa zyre të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës në Prishtinë mëngjesin e së martës.

Zjarrfikësit janë parë në vendin e ngjarjes duke punuar për ta shuar zjarrin.

Zjarri i ka përfshirë disa zyre në katin e dytë të ndërtesës së Institutit si dhe pjesën e çatisë mbi to.

Nuk raportohet për persona të lënduar, sipas Policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës tha se zjarri në dy zyre të Institutit Mjekësisë Ligjore në Prishtinë u raportua në orën 8:00 të martën.

Policia doli menjëherë në vendin e ngjarjes dhe tha se zjarrfikësit e kanë lokalizuar zjarrin.

Nuk dihet se çfarë mund ta ketë shkaktuar zjarrin në ndërtesën e këtij Instituti.



Policia tregoi se i ka nisur tashmë hetimoret “për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.”

Instituti i Mjekësisë Ligjore është përgjegjës për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e sistemit mjekoligjor në vend, për të siguruar shërbime mjeko ligjore, mësimdhënie dhe shërbime përkrahëse për familjet e personave të zhdukur.

Detyrat e tij përfshijnë, po ashtu, sigurimin e ekspertizës mjekoligjore për organet publike, udhëheqjen e hetimeve mjekësore për vdekjen në vendin e ngjarjes, për të kryer zhvarrosje, për të kryer inspektime pas vdekjes dhe autopsi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat