Kurti: Qëllimi ynë është që nga viti i ardhshëm kodimi të jetë pjesë e arsimit parauniversitar

Aktuale

Kurti: Qëllimi ynë është që nga viti i ardhshëm kodimi të jetë pjesë e arsimit parauniversitar

Më: 21 nëntor 2023 Në ora: 16:02
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se nga 13 deri me 17 nëntori i këtij viti “Ora e kodimit” është mbajtur në 22 komuna të vendit. Sipas Kurtit, mbi 20 mijë nxënës të klasave I deri XII, në 350 shkolla kanë mbajtur rreth 30 mijë orë kodim.

Kryeministri ka theksuar se përkushtimi dhe qëllimi në qeverisjen e tij, është që duke filluar nga viti i ardhshëm shkollor, kodimi të jetë pjesë e integruar e kurrikulave shkollore të arsimit parauniversitar.

“Përkushtimi dhe qëllimi ynë është që duke filluar nga viti i ardhshëm shkollor, kodimi të jetë pjesë e integruar e kurrikulave shkollore të arsimit parauniversitar. Integrimi i teknologjisë në arsim përmbush një objektiv kyç në Strategjinë tonë për Arsim dhe Digjitalizim. Ai shënon progres të rëndësishëm drejt të ardhmes së vendit tonë, ku teknologjia ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik.Duke e përfshirë kodimin në rutinën ditore shkollore, hapim rrugën për një brez të ri krijuesish, inovatorësh dhe shkencëtarësh nga vendi ynë, të cilët mund të krijojnë dhe eksportojnë produkte dhe shërbime digjitale për tregun global”, tha Kurti.

“Kodimi është vetëm njëra nga hallkat e transformimit tonë digjital. Investimet tona në e-qeverisje, e-shëndet, digjitalizim në arsim dhe siguri kibernetike deri në fund të vitit 2025 pritet të kalojnë vlerën prej 80 milionë euro. Ndërkaq, në bazë të dokumenteve strategjike që kemi plotësuar e miratuar, deri në vitin 2027, kjo shifër parashihet të arrijë në 130 milionë euro. E krahas investimeve të domosdoshme, përkushtimi ynë është po aq i lartë edhe për zhvillimin e kapaciteteve institucionale, njerëzore dhe teknologjike në siguri kibernetike, për transformim digjital të sigurt”, shtoi ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat