Kur ndodhi Banjska, e cila ishte e paralajmëruar, qarqe ballkanike diskutuan se kjo është “normale” pasi Serbia do ta bënte këtë gjë. Nuk është luftë, është thjesht një shfaqje, një demonstrim force e gjëra të tilla…
A thua se kemi të bëjmë me një teatër shëtitës e jo me një grup të armatosur deri në dhëmbë, me një psikopat të kamur si Milan Radojçiç që mund të bënte gjëmën.
Por alarmi vijon…
Volodomir Zelensky, i cili ka një shërbim sekret shumë afër me rusët, foli i pari, dhe po e mbështesin të gjithë. Natyrisht sepse NATO është e lidhur online me shërbimet e Ukrainës, ku ka njerëzit të zotë brenda atij realiteti. Zelensky tha se ‘Putin do ta plasë luftën në Ballkan’, siç ndodhi në Izrael. E shumë persona këtu thanë: Zelensky është si Fred Cako, është komedian, ca të tjerë shtojnë: luftë?! Po mirë ia bëjnë, të heqim Edi Ramën, Vuçiçin, Zelenskyn, Netanjahun e të zhdukim Izraelin.
Fjali idiote?
Në fakt, i njëjti raport i shërbimeve inteligjente të NATO’s që parashikoi tragjedinë e Banjskës flet me nota dramatike për “luftën ruse në Ballkan”.
Madje flet me një siguri të plotë:- “Do të ndodhë thotë”, dhe vendos si territor pikërisht atë që në draftet e qarkulluara këto ditë figuron si Asocacioni i Komunave Serbe.
Pra, në veriun e Kosovës. E sipas raportit, kjo luftë do të shpërthejë pikërisht gjatë diskutimit të këtij drafti në institucionet e Kosovës. Ku sipas informacioneve të shërbimeve inteligjente, e gjitha udhëhiqet nga Moska. E cila synon ta përfshijë Kosovën në kaos, në një luftë që ka lidhje me atë që po ndodh në Lindjen e Mesme.
E pikërisht kjo pistë ka shqetësuar amerikanët, të cilët kanë paralajmëruar fort Aleksandër Vuçiçin se nëse ti mendon se do e çosh Serbinë drejt Moskës dhe Pekinit, do e ndash vendin tënd. E këtë ja ka thënë një zyrtar i lartë amerikan. Pas kësaj bisede, vetë Vuçiç foli për një problem të madh që Perëndimi po ia kërkon Serbisë. Po cili është ky problem?
Problemi i madh është se veriu i Kosovës do të jetë një ‘Hamas ballkanik’, ku çdo shqiptar që të afrohet aty, do të sulmohet. Të paktën kështu konsideron NATO në informacionet e veta nga terreni. E pas kësaj ka startuar një ultimatum i fortë amerikan ndaj Aleksandër Vuçiçit.
“Mund të jesh mirë me rusët, edhe me kinezët, kjo është puna jote. Ne Serbinë e duam në NATO dhe do ta arrijmë". Kështu i ka thënë një zyrtar i lartë amerikan, i cili për ‘Pamfleti’ thotë, që nuk është normale sot të bëhet publike. Madje njëkohësisht ky shkrim po vjen edhe për të përditshmen ‘Danas’.
Emanuel Macron i ka dhuruar Aleksandër Vuçiçit një aset të vyer për fushatë që është drafti i Asocacionit të komunave serbe të veriut. Që mund t’i sjellë fitore, por nëse ndodh ai do të ketë dy zgjidhje: nëse e fut Serbinë në Perëndim, do të marrë anëtarësimin në BE, nëse jo, ultimatum ka qenë i qartë: Serbia do të ndahet! Po sa? Në realitet kjo është pyetja që po bëhet sot gjeopolitikisht. Nëse Vuçiç do të ngulmojë për autonomi të veriut, do të nisë efekti domino edhe në Sanxhak, e gjasat janë që aty të nisë përplasja. Kujt i takon Novi Pazari? Kjo pyetje i është bërë Vuçiçit nga ambasadori amerikan në Beograd, i cili i ka bërë të ditur se duhet të zgjedhë?
Nëse synon të bëjë luftë, Perëndimi është gati, e në këtë rast forcat serbe jo vetëm që nuk do të hyjnë në Kosovë, por do të tërhiqen në margjinat e Republika Srbska.
Mali i Zi, Bullgaria, Kroacia e Rumania, kufitaret e Serbisë janë në NATO, edhe Kosova ka forca të NATO-s në territor. Nëse Radojçiç do të luajë luftash, do të shtypet, siç ka ndodhur, por nëse Beogradi hyn direkt atëherë kemi të bëjmë me një lojë të re. E cila në një farë mënyre duket se do ndodhë. E këtu do të rrëzohet përfundimisht Aleksandër Vuçiç, nëse nuk deklaron hapur se vendin e tij do ta çojë në NATO.