I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në “Debat Plus”, ka thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të themelohet, pasi është obligim i Kosovës.
Ndërsa, për draft-statutin e Asociacionit, draft ky i pranuar nga kryeministri, Albin Kurti, kryetari i LDK-së ka theksuar se është një autonomi e zgjeruar për serbët në Kosovë.
“E vërteta e parë që duhet të pajtohemi të gjithë është se bëhet fjalë për një autonomi të zgjeruar për komunitetin serb. Dhe bëhet fjalë për një trup prej leximit tonë të parë, prej asaj që kemi, asaj në publik ende jozyrtare, ende, por, presim dhe kur ta kemi do të kemi edhe qëndrim zyrtar dhe pozicion politik të LDK-së, në çfarëdo pozicioni që është. Bëhet një nisje e një rrugëtimi të mundimshëm për Kosovën, për një trup që më pas shndërrohet edhe më autonome. Më autonome deri në përmasa të një lloj relacioni federativ. Kjo mbetet për t’u caktuar, gjatë periudhës së ardhme”, ka thënë Abdixhiku.
Ai, gjithashtu, ka thënë se ”… Jemi parti që kemi insistuar që Asociacioni duhet të bëhet dhe është obligim i Kosovës, së këndejmi duhej të vinte nga institucionet e Kosovës. Në përpjekje më të madhe që shoqëria e populli i Kosovës e ka pasur për të gjetur një vend brenda Kushtetutës së Kosovës se edhe kjo është një sfidë e veçantë”, ka thënë Abdixhiku.