Mëngjesi i sotëm i gjeti në flakë dy nga zyrat e katit të dytë në objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Kjo alarmoi zjarrfikësit dhe njësitë policore të cilët dolën menjëherë në vendin e ngjarjes për të lokalizuar dhe fikur zjarrin, si dhe për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Burimet e medias i kanë bërë me dije se sipas hetimeve fillestare, dyshohet se zjarri u shkaktua si pasojë e defekteve në instalim elektrik.
Lidhur me rastin është deklaruar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë sot se nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivit të IML-së dhe mostrave.
Nga Policia thanë se kanë nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore që çojnë në ndriçimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.
Kujtojmë se i njëjti objekt ishte përfshirë nga zjarri edhe në mars të këtij viti.
E gjithë kjo dyshohet se ka ndodhur si pasojë e dështimit të Ministrisë së Drejtësisë për lidhjen e kontratës për mirëmbajtjen e aparateve kundër zjarrit në këtë institucion.
Burimet e medias njoftuan se që rreth 2 vjet nuk është lidhur kontratë, përkundër që ishte formuar komisioni i hartimit të specifikave pas pranimit të vendimit të OSHP-së.