Policia jep detaje të reja për shpërthimin në tregun e kafshëve në Prizren
![](/media/botasot.info/images/2023/November/22/auto_96121700661135_11700661576.jpg)
Sot në tregun e kafshëve në Prizren ka ndodhur një shpërthim ku kanë mbetur të plagosur dhjetë persona.
Sipas policisë, dyshohet se të lënduarit kanë pësuar lëndime nga një shpërthim i një granate dore.
Detaje për KosovaPress ka dhënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, i cili tha se nga shpërthimi që ndodhi në ora 4 e 50 të mëngjesit, në fillim është raportuar për 9 persona të lënduar, por që më vonë u konfirmuan 10 të tillë.
Gashi: 10 persona janë duke marrë trajtim në Emergjencën Rajonale në Prizren
“Fillimisht është pranuar informata që nëntë persona kanë qenë të lënduar, por më vonë këtij numri iu shtua edhe një person. Pra për momentin 10 persona janë duke marrë trajtim mjekësor në Emergjencën Rajonale në Prizren si pasojë e hedhjes së një granate dore”, tha Gashi.
Zëdhënësi Gashi bëri gjithashtu të ditur se Policia ka identifikuar 3 persona të dyshuar për rastin, por që të njëjtit janë larguar në drejtim të panjohur.
Gashi: I kemi identifikuar tre persona të dyshuar për rastin
“Nga informatat e para bëhet e ditur se policia ka identifikuar 3 persona të dyshuar, por nga momenti i kryerjes së veprës të njëjtit janë larguar në drejtim të panjohur, kurse njësitet policore janë në kërkim të tyre. Prokuroria e shtetit dhe njësitet hetimore përfshirë stacionin policor dhe hetuesit rajonalë në koordinim me prokurorin e shtetit kanë iniciuar rast dhe rasti po hetohet dhe trajtohet si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, theksoi ai.
Gashi shtoi se njësitë relevante janë duke i marrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe sapo të grumbullohen informatat, ato do të bëhen publike.
Gashi: Sapo t’i kemi informata do t’i publikojmë
“Jemi në pjesën fillestare të hetimeve, hetuesit janë duke marrë të gjitha veprimet dhe po sa të kompletohet të gjitha të gjeturat në vendin e ngjarjes, por edhe informatat të cilat do të grumbullohen në lidhje me këtë rast ne do t’i bëjmë publike”, përfundoi ai.