Shpërthimi në Prizren, pesë prej të lënduarve transferohen në QKUK

Aktuale

Shpërthimi në Prizren, pesë prej të lënduarve transferohen në QKUK

Më: 22 nëntor 2023 Në ora: 11:08
Foto ilustrim

Nëntë persona janë lënduar mëngjesin e sotëm në Prizren, pasi dyshohet se një person ka hedhur granatë dore. Shefi i Emergjencës në Prizren, Hekuran Veçgishti, ka thënë se rreth orës 7 kanë pranuar edhe një person tjetër të lënduar, duke u rritur në 10 numri i të lënduarve.

Veçgishti njoftoi se pesë prej të lënduarve janë dërguar në QKUK dhe pesë të tjerët janë liruar në shtëpi.

“Rreth orës 5 kanë ardhur nëntë të lënduar, mandej dikur rreth orës 7 ka ardhë i lënduari i 10. Kryesisht lëndime kanë pasë në gjoks, qafë. Prej tyre 5 janë transferuar në QKUK, ndërsa të tjerët janë liruar në shtëpi”, tha ai.

Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë Rajonale në Prizren, Shaqir Bytyqi.

Ai tha se rasti ka ndodhur para orës 5 të mëngjesit dhe bëri të ditur se të lënduarit po trajtohen në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

Bytyqi tha se të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe se janë ende duke i kërkuar.

“Pas një mosmarrëveshje ndërmjet tregtarëve njëri prej tyre ka hedhur një granat dore dhe është larguar nga vendi i ngjarjes, policia është në kërkim të tre të dyshuarve”, tha Bytyqi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat