Kryeministri Kurti takohet me përfaqësues nga Komiteti Paralimpik i Kosovës

Aktuale

Kryeministri Kurti takohet me përfaqësues nga Komiteti Paralimpik i Kosovës

Më: 22 nëntor 2023 Në ora: 11:52
Pamje nga vendi i ngjarjes

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendësministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani ka pritur në takim Komitetin Paralimpik të Kosovës, ku të pranishëm ishin kryetarja e këtij komiteti Njomza Emini, Nënkryetari Daut Tishuki, Sekretarja e Përgjithshme Arjeta Gashi, Kryetari i Federatës ParaAtletike të Kosovës Avni Kelmendi, Parasportisti Grevist Bytyçi, Parasportistja Vjollca Hoxha dhe Trajneri Adrian Mazreku.

Kryeministri Kurti u shprehu mirëseardhje të pranishmëve në këtë takim në të cilin diskutuan për pjesëmarrjen e parë të Kosovës në lojërat Paralimpike që mbahet në vitin e ardhshëm në Paris ku Kosova do të shënojë debutimin e parë pjesëmarrës në Lojëra Paralimpike Parisi 2024. Me këtë rast, kryeministri e përgëzoi Komitetin Paralimpik të Kosovës për angazhimin dhe rezultatet e tyre të deritanishëm që tani po ia mundësojnë përfaqësimin e Kosovës në nivelin më të lartë të garave ndërkombëtare.

Pas një rrugëtimi të gjatë të ekzistencës së KPK, në pjesën e dytë të vitit 2023 KPK është anëtarësuar me të drejta të plota në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar dhe Komitetin Paralimpik Evropian. Ky sukses është edhe rezultat i rritjes së mbështetjes financiare të KPK-së në vitin 2022 me rastin e vitit të personave me aftësi të kufizuara. Në krahasim me vitin paraprak (2021), buxheti i KPK në vitin 2022 ishte rritur për gjashtëfish më shumë dhe po kjo mbështetje ka vazhduar edhe vitin 2023.

Presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës znj.Emini e falënderoj kryeministrin dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për mbështetjen që po i japin sportit në përgjithësi e në vecanti parasportistëve. Kosova hap një kapitull të ri në historinë e sportit ndërkombëtar për personat me aftësi të kufizuara. Përballë cdo sfide dhe triumfi do të jemi bashkë të pamposhtur për të arritur qëllimet tona të përbashkëta-shtoj znj.Emini.

Në Lojërat Paralimpike Paris 2024, Kosova do të marrë pjesë me dy parasportistë në sportin e atletikës: Grevist Bytyçi – në vrapim, Vjollca Hoxha – në vrapim me karrocë. Ata janë licencuar për pjesëmarrje në këto lojëra dhe do të garojnë në disa gara kualifikuese për normë paralimpike, në mënyrë që të fitojnë përvojën e duhur dhe të përgatiten sa më mirë. Për përgatitjen e këtyre sportistëve dhe trajnerëve të tyre për të përfaqësuar Kosovën në Paris 2024, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi të veçantë me Komitetin Paralimpik të Kosovës, në vlerë prej 42 mijë euro.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat