Qeveria e Kosovës ka fituar përballjen me komunat për faljen e tatimit në pronë.
Përmes një njoftimi, Gjykata Kushtetuese bën të ditur se komunat duhet të vendosin vetë për faljen e tatimit në pronë dhe se Ligji i kontestuar nga komunat nuk është në kundërshtim me ligjin e pushtetit lokal.
Kushtetuesja ka njoftuar po ashtu se periudha 15 ditëshe që komunat të vendosin për faljen e tatimit në pronë, nis nga dita e hyrjes në fuqi të aktgjykimit.
“Gjykata ka vendosur që (i) kërkesa është e pranueshme; (ii) neni 5 i Ligjit të kontestuar nuk është në kundërshtim me paragrafin 2 të nenit 12 [Pushteti Lokal], paragrafin 1 të nenit 123 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafët 2 dhe 5 të nenit 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës; (iii) të shfuqizojë Vendimin për Masë të Përkohshme të 1 shtatorit 2023, meqenëse Gjykata tashmë ka vendosur lidhur me meritat e rastit; si dhe që (iv) afati i mbetur pesëmbëdhjetë (15) ditor nga afati tridhjetë (30) ditor i përcaktuar në paragrafin 2 të nenit 11/B (Shuma e faljes së tatimit në pronë për pronën e paluajtshme) të nenit 5 të Ligjit të kontestuar, fillon të rrjedhë nga dita e hyrjes në fuqi të Aktgjykimit”, thuhet në vendim të Kushtetueses.
Pas këtij vendimi ka reaguar edhe ministri i Financave, Hekuran Murati i cili ka thënë se të gjitha kritikat e akuzat ndaj Qeverisë për këtë temë kanë qenë të pabaza.
“Qytetarët tashmë e kanë kuptuar se opozita synim të vetëm e ka bllokimin e shtetit, qoftë edhe në kurriz të qytetarëve. Qytetarët do ta mbajnë mend këtë”, ka shkruar ai në Facebook.