Dëshmitarja Safete Hadergjonaj tha se për Pjetër Shalën ka dëgjuar vetëm atëherë kur ai është arrestuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK).
Po ashtu, Hadergjonaj tha se iu është dukur qesharake kur e ka marrë ftesën si dëshmitare në këtë proces, për një person që kurrë nuk e kishte parë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Personin Pjetër Shala, emrin e tij për herë të parë dhe figurën e Pjetër Shalës e kam pa atë ditë që e kanë arrestu Dhomat e Specializuara. Kurrë përpara nuk e kam pa, as kurrë nuk e kam dëgju emrin e tij. Kështu që kur kam marrë ftesën nga Gjykata që e kam hapë ftesën dhe e kam pa që do të marrë pjesë në procesin si dëshmitare për Pjetër Shalën, ka qenë edhe e befasishme dhe qesharake sepse ish një njeri që kurrë në jetën time nuk e kam pa”, tha dëshmitarja.
E pyetur se a ka dëgjuar për ndonjë person me pseudonimin “Ujku”, dëshmitarja Hadergjonaj u përgjigj me “Asnjëherë, kurrë”.
Pas kësaj, mbrojtësi i Shalës, avokati Jean-Louis Gilissen tha se nuk ka pyetje të tjera për dëshmitaren, kurse me pyetje ka filluar përfaqësuesja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, prokurorja Gaia Pergolo.