Avokati, Florim Shefqeti në lidhje me grabitjen e armatosur në një argjendari në Suharekë ku mbeti i plagosur një polic ka thënë se identifikimi i të dyshuarve mund të bëhet më së lehti përmes identifikimit të automjetit të pronarit.
“Identifikimi i shpejtë mund të bëhet përmes identifikimit të automjetit, ky është çelësi fillestar. Përdorimi i maskave dhe e automjetit janë të planifikuara, zingjiri i identifikimit duhet të bëhet nga pronari ose poseduesi i automjetit”, ka thënë Shefqeti.
Shefqeti në emisionin “FIVE” ka thënë se këto vepra penale kryhen në mënyrë të koordinuar e të planifikuar dhe zakonisht bëhen kur përfundon orari i zyrtarëve të institucionit që planifikohet të grabitet.
“Ajo që do doja të thoja, normalisht këto vepra penale kryhen në mënyrë të koordinuar, planifikohet për të qenë më e përshtatshme, ndërrimet e punës të policëve, përfundimi i orarit të zyrtarëve, kur kemi të bëjmë me institucione bankare, pashmangshëm orari paraqet një indikacion”, ka vijuar ai.
Po ashtu edhe ish-koloneli i Policisë së Kosovës, Rrahman Sylejmani ka thënë se ky rast është një incident që hyn në kategorinë e veprave penale të rrezikshme por që sipas tij raste të tilla mund të ndodhin në çdo vend.
Ai ka theksuar se veprimet e policisë duhet të jenë parandaluese edhe pas kryerjes së veprës në mënyrë që të shmangen rastet e reja.
“Ndodhin gjithandej, nuk mund të them që vetëm në Kosovë. Veprimet e policisë duhet të jenë proaktive dhe reaktive, dallon taktika e reagimit, si psh në rastin në Suharekë janë veprime që duhet shpejt të ndërmerren në krahasim me incidentin që ka ndodhur në Prizren”, ka thënë Sylejmani.