Dyshohet se një punëtor të argjendarisë e kanë lidhur hajnat gjatë grabitjes së armatosur në Suharekë

Aktuale

Dyshohet se një punëtor të argjendarisë e kanë lidhur hajnat gjatë grabitjes së armatosur në Suharekë

Më: 22 nëntor 2023 Në ora: 21:10
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Admir Shala, ka dhënë detaje lidhur me grabitjen e armatosur sot në një argjendari në Suharekë. Ai tha se hajnat dyshohet se kanë lidhur me rrip një punëtor të argjendarisë teksa kanë kryer grabitjen.

Kryeprokurori Shala, i cili po qëndron në vendin e ngjarjes, tha se punëtori është lidhur nga ana e të dyshuarve me rripa të plastikës.

“Dyshohet që i kanë lidhë me pajisjet që janë për lidhje, janë ato rripat që janë të plastikës, dyshohet një punëtor që e kanë lidhë”, tha Shala.

Kryeprokurori tha se të dyshuarit nuk janë identifikuar por po punohet për identifikimin dhe arrestimin e tyre.

“Për momentin nuk i kemi identifikuar të dyshuarit, jemi në kërkim të tyre, janë të gjitha ekipet policore në vendin e ngjarjes. Siç i keni pa edhe kamerat, identifikohet automjeti dhe personat që janë të paidentifikuar, dyshohet që ajo veturë që është përdorë në vendin e ngjarjes ka gjuajtje me armë nga ana e të dyshuarve, policia e ka rrethu edhe vendin e ngjarjes.  E keni pa që është sulmuar edhe policia nga ta ka disa shkrepje në drejtim të veturës së policisë”, tha Shala.

Ai rikonfirmoi se policët e lënduar nga kjo ngjarje ndodhen jashtë rrezikut për jetë.

“Një polic është i lënduar lehtë në këmbën e majtë, tjetri është lëndu gjatë veprimit në mbrojtje dhe në kundërsulm ndaj kryersve, kështu që janë mirë policët. Janë jashtë rrezikut për jetë”.

Po ashtu i njëjti kërkoi që kushdo që ka informacione për të dyshuarit, të lajmërohet në stacionin më të afërt policor.

“Ne kërkojmë informata nga qytetarët që sadopak që kanë ndonjë informacion apo shenjë, qoftë të veturës apo personave të na njoftojnë, kudo në stacionin më të afërt në vend, në mënyrë që t’i identifikojmë dhe arrestojmë sa më shpejtë”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat