Politologu, Dritëro Arifi, tha se asnjë qeveri e Kosovës nuk ka dështuar në dialog, përfshirë edhe qeverinë aktuale.
Po ashtu, Arifi vlerësoi që brenda këtij viti nuk do të ketë diçka konkrete sa i përket çështjes së dialogut.
“Asnjë qeveri e Kosovës nuk ka dështuar në dialog, e as kjo aktuale. Dialogu do të vazhdojë, mirëpo këtë vit nuk besoj që do të ketë diçka konkrete. Me siguri pas zgjedhjeve në Serbi do të kemi një ripërcaktim të ri të afateve, por afati i fundit që mund të arrihet diçka, është eventualisht muaji prill ose maj. Nëse gjërat që duhet të përfundojnë, nuk fillojnë në janar, atëherë ato nuk do të përfundojnë as në vitin 2024. Kjo do të jetë fatkeqësi e madhe për Kosovën, sepse nuk do të fuqizohet subjektiviteti i shtetit në marrëdhëniet ndërkombëtare, ky do të jetë minus i madh për Kosovën. Nëse Kosova nuk e kap vitin 2024 për rrugën drejt integrimit evropian, nuk besoj që edhe 20-30 vjet mund të bëjmë diçka”, deklaroi Arifi.
Më tej, Arifi shtoi se me implementimin e marrëveshjes së Brukselit, do të varet rrugëtimi i Kosovës dhe Serbisë drejt Bashkimit Evropian.