Gashi hedh dyshime që zjarri në IML mund të jetë shkaktuar qëllimshëm, hedh kritika tek Haxhiu
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se Qeveria e Kosovës brenda një jave ka bërë tri skandale.
Nga Kuvendi i Kosovës ai hodhi dyshime se zjarri në Institutin e Mjekësisë Ligjore ka qenë i qëllimshëm.
Gashi tha se ky zjarr mund të jetë shkaktuar për të zhdukur zhurmë dhe prova kriminale.
Këtu ai përmendi edhe deklaratën e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ndërkohë, Gashi foli edhe për raportimet se në këtë zjarr janë djegur mustaqet e Adem Jasharit dhe gishti i Isa Boletinit.
“Sot i drejtohem këtij Kuvendi dhe qytetarëve të Kosovës për të vënë theksin në tri skandale qeverisëses gjatë një jave. Skandali i parë është shtyrja e regjistrimit të popullsisë dhe pronës për një kohë të caktuar që më në detaje do të flas pas meje deputeti Avdullah Hoti. Skandali i dytë është djegia për herë të dytë e IML-së, që për në vetvete jo vetëm që është skandal por është një rast jashtëzakonisht i rëndë që s’mund të tolerohet. Nuk mund të tolerohet sepse bëhet fjalë për një Institut që ka për detyrë dhe funksion të merret me hulumtimin shkencor të rasteve të vdekjeve, vrasjeve, vdekjeve të dyshimta e të tjerë. E më e rëndë bëhet akoma kur kjo ndodhë për herë të dytë. Nëse e mnarrim dhe i shohim qëndrimet e ministres së drejtësisë e shohim që kjo situatë merr përmasa kriminale. Pra ministrja e Drejtësisë deklaron publikisht se nuk ka dëmtim të arkivës, nuk ka dëmtim të mostrave mortore që mbahen në këtë Institut, e ndërkohë në media thuhet dhe rezulton se ka dëmtim të arkivës, jo vetëm që ka dëmtim të mostrave, por ka dëmtim të mbetje mortore të komandantit Adem Jashari e Isa Boletini, e mos të flasim për raste të qytetarëve të tjerë, të cilat mund të kenë dhe përmbajtje të qëllimshme për zhdukjen e rasteve kriminale”, ka thënë ai.
Rexhaj: Serbia vazhdon ta cenojë sigurinë e Kosovës, Radojiçiqi të ekstradohet
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka thënë se shteti serb vazhdon ta cenojë sigurinë e Republikës së Kosovës.
Duke përmendur rastin në Banjskë, Rexhaj tha se edhe pas tetë javësh, kryeterroristi Milan Radojiçiq vazhdon të jetë nën mbrojtje nga Serbia. Ai ka kërkuar që Radojiçiqi të ekstradohet në Kosovë.
“Që pas sulmit në Banjskë, aktiviteti i terroristit serb nuk kanë pushuar së riorganizuari kundrejt republikës së Kosovës. Pesë muaj pas arrestimit të policëve dhe tetë javë pas vrasjes së rreshterit Afrim Bunjakut, terroristët vazhdojnë të jenë në mbrojtje nga shteti serb”.
“Serbia asnjëherë nuk ka pushuar së kërcënuari sigurinë në Kosovë edhe pas presionit nga ndërkombëtarët, shteti serb ende nuk i ka larguar forcat përskaj kufirit me Kosovën por i ka shtuar edhe më shumë ato”.
“Sigurisht që të vihen para drejtësisë për veprat terroriste dhe për vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku”.
Tahiri pyet qeveritarët: A janë djegur mustaqet e Adem Jasharit në IML?
Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se nga ardha e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, ka pasur përpjekje të vazhdueshme për ta penguar punën në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Duke iu referuar zjarrit në IML, ai ka pyetur nëse është e vërtitë që janë djegur mustaqet e Adem Jasharit dhe mbetjet mortore të Isa Boletinit.
“Sa here që kemi skandale të mëdha të kësaj qeverie, deputetët e mazhorancës dalin e flasin për Serbinë”, ka thënë Tahiri.
“Prej ardhjes së LVV-së në pushtet, kemi parë përpjekje të vazhdueshme për ta penguar punën në IML. U ballafaquam me një zjarr-vënie të pasuksesshme, pastaj me humbjen e mostrave të Astrit Deharit, e tash me zjarrin që ka shkaktuar dëm të madh në IML”, ka shtuar ai.
“A është e vërtetë që mbetjet mortore të Isa Boletinit dhe mustaqet e Adem Jasharit janë djegur?”, ka pyetur Tahiri.
Kuvendi nis seancën me një minutë heshtje në nderim të atdhetarit Xhemajl Mustafa
Kuvendi i Kosovës ka mbajtur sot një minutë heshtje në nderim të atdhetarit Xhemajl Mustafa, në 23-vjetorin e vrasjes së tij.
Deputetët e Kuvendit nderuan figurën e Mustafës, në ditën kur janë bërë 23 vjet nga vrasja e tij.
Intelektuali Xhemajl Mustafa u vra mizorisht në Prishtinë, më 23 nëntor 2000, në hyrje të apartamentit të tij, ku u qëllua për vdekje nga dy sulmues.
Në 23-vjetorin e vdekjes së Mustafës, ka shkruar edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.
“Në këtë ditë, 23 vite më parë e pranuam lajmin që ata që nuk e deshën lirinë e pavarësinë, e vranë edhe aktivistin e kësaj çështje, intelektualin dhe mikun e Presidentit Rugova, z. Xhemail Mustafa.
Vrasja e tij ishte humbje e madhe për LDK-në dhe Kosovën.
Sot, e kujtojmë me krenari jetën dhe veprën e tij. Kujtimi për të do të mbetet i përhershëm!”, shkruan Hoti.
Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare
Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në seancë të rregullt plenare ku në rend dite janë një varg ligjesh e projektligjesh për miratim dhe shqyrtim si dhe disa propozime e rekomandime.
Kuvendi mbanë dy seanca, njëra në ato të kaluarat që nuk janë mbyllur, dhe seancën e rregullt të kësaj jave. Një nga pikat e kësaj seance do të jetë edhe Debat parlamentar në lidhje me Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2023
Deputetët e Kuvendit në seancën e sotme parlamentare, që fillon në orën 10:00, pritet që të diskutojnë, miratojnë dhe votojnë edhe shumë pika tjera.
Në seancën e sotme pritet edhe votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”.
Pikë tjetër e rendit të ditës është edhe shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes në mes Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Deutsche Gesellschaft für Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, për projektin mbështetja për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të bujqësisë në zonat rurale përmes diversifikimit të aktiviteteve, si edhe shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze dhe shumë pika të tjera.