Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, edhe të enjten po e vazhdon dëshminë e saj dëshmitarja Safete Hadergjonaj, ish-deputete e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës. Ky i fundit, tha se Hadergjonaj është involvuar në çështjen ndaj tij nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) me deklarata të rrejshme.
“Vetëm për sqarim, nuk është që ekipi im e ka ftuar, por e ka involvuar Prokuroria më dëshmi të rrejshme e ne jemi vetëm për sqarim. Nuk është që e kemi ftu ne dhe e kemi involvu ne. Ne e kemi ftu për të sqaru deklaratat që i ka bërë dikush tjetër dhe që e kanë involvu dhe jo unë dhe as mbrojtja ime. Ju faleminderit. Kaq pata, vetëm për sqarimin tuaj”, tha Shala.
Deklarata e Shalës erdhi pasi kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia i tha dëshmitares se prezenca e saj në këtë seancë është me kërkesën e mbrojtjes së Shalës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas saj, mbrojtja ka kërkuar ndihmën e DhSK-së që të sigurojë prezencën e saj në këtë çështje gjyqësore.
Veldt-Foglia i tha dëshmitares së mbrojtja ka konsideruar që Safete Hadergjonaj mund të japë informacione të rëndësishme lidhur me veprat e pretenduara, si dhe këtë çështje gjyqësore ndaj Pjetër Shalës.
Hadergjonaj e falënderoi gjyqtaren për sqarimin dhe i tha që iu është përgjigjur ftesës në mënyrë të rregullt. Pyetjet për Safete të ka filluar që t’i parashtrojë mbrojtësi i viktimave Simon Laws.
Hadergjonaj dëshminë e saj e ka filluar të martën më 22 nëntor, ku deklaroi që nuk ka qenë asnjëherë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se nuk ka qenë as motër medicinale dhe se nuk ka të bëjë asgjë me profesionin e mjekut.
Po ashtu gjatë dëshmisë së saj dje, Hadergjonaj tha se ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë bërë luftë të pastër, duke e quajtur Specialen gjykatë qesharake. Madje, për aktakuzat e ngritura, ajo tha se janë të motivuara nga Serbia si dhe nga sajesat e Shërbimit Sekret Serb dhe dëshmitarëve të rrejshëm.
Ndërsa, për të akuzuarin Pjetër Shala, Hadergjonaj tha se emrin e tij dhe figurën e tij e ka parë vetëm atëherë kur është arrestuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. Veç tjerash, ajo tha se edhe emri i saj është gjetur mbi një dëshmi të rrejshme pasi që nuk ka pasur farë të bëjë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Ndryshe, gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.
Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.
Ndryshe, Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.