Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, në seancën e Kuvendit të enjten ka shprehur shqetësimin lidhur me aktivitetin terrorist të Milan Radoiçiqit kundrejt Kosovës.
Para deputetëve ai ka thënë se me “10 nëntor kryeterroristi Milan Radoiciq me grupin e tij terrorist dhe me udhëzimet e mbështetjen e institucioneve serbe, ka zhvilluar takim me deputetë të Listës Serbe, kryetarin e saj, nënkryetarët dhe politikanë e zyrtarë serbë të ish-komunave ilegale”.
“Që pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë aktiviteti i Radoiviqit nuk kanë pushuar asnjëherë së punuari në riorganizimin e aktiviteteve të tyre terroriste kundër Republikës së Kosovës”, është shprehur Rexhaj.
Ai tutje ka thënë se Milan Radoiçiq dhe grupi i tij po vazhdojnë të jenë të lirë dhe të mbrohen nga shteti i Serbisë.
“Serbia asnjëherë nuk ka pushuar së rrezikuari sigurinë e Kosovës. Edhe pas presionit ndërkombëtar dhe të SHBA-ve, ende nuk i ka tërhequr forcat ushtarake nga afërsia e kufirit me Kosovën”.
Rexhaj ka folur edhe për pretendimet e Rusisë për rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke thënë se për të shpërqendruar vëmendjen e perëndimit, federata ruse po synon ndezjen e zonave të reja të konfliktit.
“Këtë e ka thënë shumë herë kryeministri ynë e ditë më parë të njëjtin shqetësim e tha edhe presidenti i Ukrainës se Rusia po tenton të nxisë konflikte në rajonin e Ballkanit Perëndimor. BE-ja dhe SHBA-ja kanë theksuar se Rusia po bën gjithçka që mundet që të mbjell pakënaqësi, jostabilitet politik e manipulim informatash në rajonin e Ballkanit”.
“Mungesa e një politike ndëshkimore e sanksionuese ndaj Serbisë po e mundëson ripërsëritjen e sjelljeve agresuese kundrejt fqinjëve të saj”, ka deklaruar deputeti i pozitës.