Abdixhiku tallet me Qeverinë pas vendimit të Kushtetueses: Çfarë mend kanë, do të ankohen

Aktuale

Abdixhiku tallet me Qeverinë pas vendimit të Kushtetueses: Çfarë mend kanë, do të ankohen

Më: 24 nëntor 2023 Në ora: 14:14
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pasi Gjykata Kushtetues e Kosovës ka rrëzuar në tërësi Ligjin e Qeverisë Kurti për caktimin e çmimeve.

Abdixhiku ka thënë se ashtu siç pritej, Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë edhe një ligj të Qeverisë Kurti, të cilës i është referuar si Qeveria më antikushtetuese që ka pasur Kosova ndonjëherë.

Kreu i LDK-së ka thënë se VV dhe Qeveria mund edhe të ankohen se “si një ligj antikushtetuese nuk zë vend”.

“Çfarë mend kanë, do të ankohen – sikurse deri më tani – se si një ligj antikushtetues nuk zë vend. Merreni me mend, një kryeministër që ankohet se nuk po e lënë ta shkelë Kushtetutën. Sepse për ta, Republika është në shërbim të tyre”, ka shkruar Abdixhiku.

Reagimi i plotë:

Siç edhe pritej, siç edhe kishim thënë gjithherë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës hodhi poshtë EDHE NJË LIGJ, në gjithë tërësinë e tij, të qeverisë më antikushtetuese që ka pasur Kosova ndonjëherë.

Duke e cilësuar ‘ligjin për çmimet tavan’ si ligj në kundërshtim me vlerat bazike të lirisë ekonomike të Republikës, kjo gjykatë shpërfaqi jo vetëm paaftësinë e kësaj qeverie por dhe tendencat e tyre që me vetëdije të shkelin Kushtetutën.

Kryeministri e ministrat rend mburreshin me këtë ligj.

Kryeministri e ministrat mburreshin me paditurinë.

Ju thoshim se s’bën, nuk kuptuan. Ju treguam si të bëhet, nuk dëgjuan. Ju thoshim se do të rrëzohet, u rrëzua. Tani nuk di cila është më e rëndë; paaftësia apo shkelja kushtetuese? Apo lënia e qytetarëve pa politikë adekuate e kushtetuese tash e dymbëdhjetë muaj.

Çfarë mend kanë, do të ankohen – sikurse deri më tani – se si një ligj antikushtetues nuk zë vend. Merreni me mend, një kryeministër që ankohet se nuk po e lënë ta shkelë Kushtetutën. Sepse për ta, Republika është në shërbim të tyre.

Për ne, Lidhjen Demokratike, Republika mbetet mbi të gjitha.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat